Edhe noterët do i nënshtrohen vetingut, do i pastrojë Ministria e Drejtësisë
Noterët ekzistues dhe ata që duan të nisin këtë profesion do ti nënshtrohen vettingut si gjyqtarët dhe prokurorët. Projektligji kaloi në mbledhjen e fundit të qeverisë, ndërsa ministri i Drejtësisë Ulsi Manja tha se vettingu do të bëhet me inspektime në zyrat aktuale të noterisë dhe me forcimin e kritereve për pranimin në këtë profesion, ku thelbi është tek pastërtia e figurës dhe shmangia e kontakteve me krimin.
Sistemi i noterisë në Shqipëri do ti nënshtrohet vettingut, në të njëjtën mënyrë si gjyqtarët dhe prokurorët.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, konfirmoi se ndryshimet ligjore që do ti propozohen parlamentit u miratuan në mbledhjen e fundit të qeverisë.
"Përcaktohen kritere të reja për pranimin në këtë profesion siç janë kriteret e vendosura për pranimin e kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë në shkollën e magjistraturës përcaktohen kritere të reja për futjen në profesionin e noterit dhe kanë të bëjnë me mospërfshirjen në këtë sistem të personave që kanë lidhje apo kontakte të papërshtatshme me krimin e organizuar ose persona tqë dënuar për kryerjen e veprave penale të rënda. Këtyre kritereve të reja do ti nënshtrohen edhe noterët që tashmë janë pjesë e shërbimit noterial përmes inspektimeve proaktive që do të ushtrojë Ministria e Drejtësisë."
Vettingu i noterëve do të realizohet në dy mënyra, me kontrollet për ata që e ushtrojnë aktualisht këtë profesion dhe verifikimet dhe filtrimin e atyre që kërkojnë ta ushtrojnë aktivitetin për herë të parë.
"Është Ministria e Drejtësisë që përmes inspektimeve të planifikuara apo hetimeve proaktive që do ta bëjë filtrimin e këtij sistemi."
Ministri i Drejtësisë tha se ndryshimet ligjore janë përmbushje e kërkesave të procesit të integrimit, por edhe të rekomandimeve të Moneyval në lidhje me luftën ndaj pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.