“Shiti” tek vrasësit shokun e fëmijërisë, 21 vite burg për Mikel Aliajn që nxori në pritë Eri Zefin
21 vite e 4 muaj burg do të vuajë Mikel Alia për vrasjen e tetorit të vitit 2019 të Eri Zefit në Mirditë. Sipas prokurorisë, 42-vjeçari dorëzoi tek ekzekutorët ende të paidentifikuar shokun e tij të fëmijërisë, që në atë kohë fshihej nga frika e hakmarrjes për shkak të një vrasje që i vëllai ka bërë në Durrës.
Gjykata e Lezhës dënoi me 21 vite e 4 muaj burg, 42-vjeçarin Mikel (Gjovalin) Alia, i cili me 2 tetor të vitit 2019-të nxori në pritë shokun e tij të fëmijerisë Eri Zefi për ta ekzekutuar,
42-vjeçari u gjet fajtor për veprat penale "Vrasje me paramendim" dhe "Armbajtje pa leje".
Togat e zeza dhanë dënimin maksimal prej 32 vitesh, dy vite më shumë nga sa kishte kërkuar prokuroria, por Mikel Alia përfitoi 1/3 ulje dënimi për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Me ketë vendim, 42-vjeçari bëhet personi i vetëm i dënuar për vrasjen e Eri Zefit, në Zall Xhuxhë të Mirditës.
Sipas dosjes hetimore, 42-vjeçari Alia i kishte kërkuar shokut të fëmijërisë ta ndihmonte për të vjedhur një sasi kanabisi në zonën malore të Mirditës, ku ndodhi krimi.
Ekzekutorët ndërkohë besohet se ishin dy persona të tjerë, që mbeten ende të paidentifikuar.
Për të mbërritur tek ta, prokuroria e Lezhës i kërkoi 42-vjeçarit Mikel (Gjovalin) Alia të bashkëpunojë me drejtësinë në këmbim të lehtësirave.
Por ai në vazhdimësi ka mohuar çdo lidhje me vrasjen, duke u deklaruar i pafajshëm.
Eri Zefi u ekzekutua me 6 plumba, 4 prej të cilëve e preken në kokë ndërsa 2 të tjerët në gjoks.
Dyshimet janë se i riu u ekzekutua për hakmarrje, pasi i vëllai është dënuar për një vrasje në Durrës.
Por megjithatë asnjëherë nuk janë përjashtuar as konflikte të tjera të vetë 34- vjeçarit.
Vrasja rezulton të ketë ndodhur gjatë natës të 1 tetorit të vitit 2019-të pikërisht në vendin ku është gjetur trupi i viktimës në një kanal 50 metra larg Rrugës së Kombit.
