Ish-kreu i Kadastrës Vlorë dhe dy bashkëpunëtorët nuk bindin Apelin, mbeten në burg për tjetërsimin e pronave

Gjykata e Apelit Vlorë ka vendosur të mbajë në burg ish-kreun e Kadastrës Vlorë, Klodian Troci, i arrestuar për një skemë të tjetërsimit të pronave, kryesisht shtet, në bregdetin e Dhërmiut. Në qeli deri në fynd të hetimit mbeten edhe ish-drejtori i Menaxhimit të Tokës në Vlorë dhe një përfitues i skemës së abuzimit bazuar mbi letra zyrtare.

Ish-drejtori i Kadastrës në Vlorë, Klodian Troci, i dyshuar për tjetërsim të pronave në bregdet mbetet në qeli deri në fund të hetimit.

Gjykata e Apelit Vlorë la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për ish- kryeregjistruesin bashkë me ish-drejtorin e administrimit të tokave për qarkun, Bardhyl Gjika dhe përfituesin Spiro Duni.

Seanca u drejtua nga gjyqtarja, Iliba Bezati, e cila nuk mori parasysh kërkesën e tre të arrestuarve për hetim me masë sigurie më te butë.

Troci, Gjika e Duni ndërkohë kishin zgjedhur të mos ishin të pranishëm në sallë për të dëgjuar vendimin.

Ish-drejtori i Kadastrës akuzohet për “shpërdorim të detyrës” dhe “falsifikim të vulave, stampave ose formularëve” me pasojë tjetërsim të pronave në bregdet gjatë viteve 2019-2021.

Troci, Gjika e Duni dyshohet se janë organizatorët e grabitjes së dosjeve të pronave në Zyrat e Këshillit të Qarkut Vlorë, më 13 tetor, hetimi të cilës zbuloi skandalin e vjedhjes së pronave.

Skema ishte ngritur mes drejtuesve të Kadastrës dhe Drejtorisë së Menaxhimit të Tokave në Vlorë dhe e bazuar në dokumente zyrtare.

Sipas hetimit, ish-kryeregjistruesi zotëronte AMTP të vulosura dhe firmosura, të cilat plotësoheshin në mënyrë abuzive me të dhëna të tokave shtet, kryesisht në bregdet dhe 65 mijë euro.

AMPT-ja regjistrohej në Zyrën e Menaxhimit të Tokës në Këshillin e Qarkut Vlorë, nga Bardhyl Gjikaj, po ashtu i arrestuar dhe më pas prona regjistrohej në Kadastër.

Me këtë skemë mësohet se janë kryer disa tjetërsime me vlerë deri në 5 milion euro.

Klodian Troci në gjykatë ka pretenduar se paratë që iu gjetën në shtëpi ishin të siguruara në mënyrë ligjore, ndërsa dokumentet i kishin mbetur në shtëpi nga koha kur punonte në Kadastër.