Kastriot Myftaraj padit në SPAK Ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku: Kapa "peshkun e madh", hetojeni!
Gazetari dhe autori i emisionit “Ju flet Moska” Kastriot Myftaraj u paraqit sot në SPAK për të bërë një padi ndaj ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
“U paraqita për ta depozituar kallëzimin në SPAK në përmbushje të detyrimit tim si qytetar e gazetar” tha ai në një prononcim sot paradite për Ora News.
Për çfarë ka të bëjë padia?
Ndërsa në formularin e vetëdeklarimit - pyetjes nëse ka jetuar më tepër se një muaj jashtë Shqipërisë, ku, kur dhe për çfarë arsye?- Zonja Balluku i është përgjigjur se ka jetuar më shumë se një muaj, korrik – gusht 2011 për pushime në Britani të Madhe, në CV e faqes zyrtare të ministrisë që ajo drejton shkruhet se ka kryer studimet e larta universitare për Administrim Biznesi në Institutin Teknologjik të Athinës, që minimum duhet të jenë 3 vite. Thotë se ka kryer studime në dy periudha të tjera në SHBA, në Universitetin e Harëardit dhe Majemi, argumenton Myftaraj
Kastriot Myftaraj: “Ka dy gjëra. Ose zonja Balluku ka gënjyer dhe ka qenë jashtë Shqipërisë vetëm për 1 muaj për pushime, ose zonja Balluku ka qenë vërtet jashtë Shqipërisë por për arsye që i di ajo nuk i ka deklaruar dhe për këto ka përgjegjësi penale, sipas nenit 190 të Kodit Penal, për falsifikimin e formularëve.
Më e pakta këtu ekziston dyshim i arsyeshëm që SPAK duhet të nisë hetim. Ajo mund të thotë se unë nuk jam shkolluar jashtë Shqipërië. Në këtë rast nuk është fajtore thjesht kemi një ministre pa shkollë të lartë, me shkollë të mesme. Nuk ka përgjegjësi penale sipas nenit 190 të Kodit Penal”
Nga u nxite që e bëre këtë padi?
Kastriot Myftaraj: “U nxita nga detyrimi im si qytetar, hulumtimi im si gazetar dhe fakti se SPAK na ka ardhur me premtime të mëdha e krijuar si prokurori e posaçme dhe nga ndërkombtarët se do të bëjë gjërat që nuk janë bërë më parë”
Ai bën dhe një paralelizëm mes rastit të kryetarit të bashkisë Mallakastër i cili u mor i pandehur nga SPAK pikërisht se falsifikoi formularin e vetëdeklarimit.
Kastriot Myftaraj: “Të njëjtën gjë ka bërë dhe zonja Balluku. Por ndërsa të gjithë këta janë përpjekur të fshehin në vetëdeklarim ato që kanë bërë, zonja Balluku ato që i ka fshehur në vetëdeklarim i ka zbuluar në CV zyrtare. Praktikisht ajo tallet me SPAK me ligjet e me dikë tjetër atje. Ka dyshime të arsyeshmne se pas kësaj ka vepruar një grup i strukturuar kriminal. Këtu më së paku Balluku në bashkëpunim me disa punonjës të KQZ-së. SPAK së paku duhet të marrë në pyetje Ballukun për këto”
E ndërsa Myftaraj do të dorëzojë padinë në SPAK përmes postës thotë se peshqit e vegjël po bien në rrjetën e SPAK ndërsa ai ka kapur një “peshk të madh” dhe po ia dorëzon SPAK.
“ Procedohet penalisht kryetari i bashkië së Mallakastrës dhe lihet ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës që ka në dorë 70% të parave të punëve publike që bëhen në Shqipëri? Nëse SPAK nuk përdor të njëjtin standard si Qerim Ismailaj e Belinda Ballukut më lind e drejta të kem dyshimin e arsyeshëm se SPAK ka marrë rryshfet dhe nuk e procedon penalisht” thotë ai në prononcimin për gazetaren Keti Banushi.
Emisioni “Ju flet Moska” transmetohet çdo ditë në RTV Ora nga e hëna në të premte ora 19:40