Rrëzohet sekuestroja e parë e OFL-së, lirohen nga sekuestrimi pasuritë e Altin Hajrit nga Shijaku

Gjykata e Apelit të Posaçëm ka liruar përfundimisht nga sekuestroja pasuritë e Altin Hajrit, të cilat janë asestet e para të sekuestruara nga Operacioni i policisë Forca e Ligjit. Togat e zeza rrëzuan edhe në shkallën e dytë kërkesën e SPAK për konfiskimin e kompleksit Golden në Shijak, pasi ekspertët vlerësuan se pronari i tyre e justifikon pasurinë me burime të ligjshme.

Gjykatat shqiptare rrëzojnë përfundimisht sekuestron e parë të kryer nga Operacioni Forca e Ligjit. Kanë qenë togat e zeza të Gjykatës së Apelit të Posaçëm që kanë vendosur pushimin e gjykimit në lidhje me kërkesën e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme SPAK, për konfiskimin e pasurive të shtetasit Altin Hajri.

Burime zyrtare të Prokurorisë bënë të ditur se vendimi i Apelit, tashmë i formës së prerë, është shpallur ditën e sotme, ndërkohë që ka qenë vetë SPAK që ka kërkuar pushimin e çështjes pas konkluzionit të paraqitur nga ekspertët e caktuar nga gjykata, si në shkallen e parë dhe në Apel, të cilët kanë vlerësuar se pasuria e Altin Hajrit është me burime të ligjshme.

Në këtë mënyrë, është rrëzuar përfundimisht sekuestroja e parë e vendosur nga Policia e Shtetit në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit ndaj pasurive të shtetasit, Altin Hajri.

Fillimisht ka qenë gjykata e shkallës së parë ajo që shfuqizoi sekuestrimin e kompleksit Golden Resort në Shijak, bazuar në përfundimin e ekspertëve që vlerësuan se zotëruesi i objektit e justifikonte pasurinë e tij me të ardhura të ligjshme.

Më pas Prokuroria e Posaçme SPAK, duke mos qenë dakord, e dërgoi çështjen në Apel, por edhe kjo gjykatë pasi u njoh me konkluzionin e ekspertëve që vlerësuan se pasuria është vendosur me të ardhura të ligjshme, vendosi pushimin e gjykimit për këtë çështje.

Shtetasi Altin Hajri u akuzua nga SPAk për rrëmbimin e Jani Prengës në zonën e Kamzës në vitin 2015, ndërkohë që më parë ishte proceduar për trafik droge nga autoritetet e policisë italiane.

Më 3 maj të këtij viti, gjykata e shkallës së parë refuzoi kërkesën për konfiskimin e pasurive të Altin Hajrit, por Prokuroria e dërgoi çështjen në Apel ku edhe e humbi përfundimisht betejën për sekuestrimin e pronave të personit nën hetim.

Altin Hajri 

Operacioni i sekuestros së pronave të Altin Hajrit u bë me bujë në shkurt 2020.

Altin Hajri është dënuar me burg nga autoritet italiane të drejtësisë, me urdhër arrestin e datës 15 gusht 2015, për veprën  penale “Trafikimi i lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim”.

Aktualisht, ky shtetas është shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit, në funksion të hetimeve për rrëmbimin dhe vrasjen e Jani Prengës.

Policia deklaroi atëherë (3 shkurt 2020) se sekuestrimi i këtij objekti dhe i të gjitha pronave të shtetasit Altin Hajri bëhej në bazë të elementit të urgjencës të parashikuar në Ligjin Special.