Policia bllokon rreth 100 kg kanabis nga Dukagjini, në pranga 4 transportuesit

Sekuestrohen 96 kilogramë e 500 gramë lëndë narkotike cannabis sativa në Shkodër. Në pranga kanë rënë 4 personat që transportonin lëndën narkotike.

Operacioni i koduar “Bzheta” arrestoi në flagrancë shtetasit Prel Zefi 30 vjeç, Albert Logu 21 vjeç të dy banues në Shtoj i Ri, ,Pllum Fusha 37 vjeç, banues në Grudë e Re dhe Besnik Bludaj 40 vjeç, banues në Vrak, Malësi e Madhe. 

Policia e Shkodrës njofton se kishin marrë informacione se këta shtetas po e transportonin lëndën narkotike nga Malësia e Dukagjinit në drejtim të Shkodrës.

Bazuar në këto informacione, në vendin e quajtur Bzhetë, në Njësinë Administrative Shkrel, shërbimet e Policisë kanë ndaluar tre automjete që drejtoheshin nga shtetasit B. B., P. Z. dhe P. F.  Në automjetin që drejtohej nga shtetasi P. F. ishte pasagjer shtetasi A. L.

Gjatë kontrollit në brendësi të automjetit tip furgon me drejtues shtetasin P. Z., shërbimet e Policisë gjatën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 96 kilogramë e 500 gramë lëndë narkotike cannabis sativa.  

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda narkotike, 8 aparate celular dhe 3 automjete.

Materialet procedurale i kaluan për ndjekje të mëtejshme, Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.