Krimet zgjedhore në fushatë elektorale të 25 prillit, 10 persona në hetim, 2 në burg

Prokuroritë në rrethe kanë regjistruar procedimin penal për 82 njoftime për vepra penale në lidhje me zgjedhjet në periudhën e fushatë elektorale për zgjedhjet e 25 prillit, prej të cilave 2 janë rregjistruar kryesisht.  

Prokuroria e Përgjithshme në një njoftim për mediat bën me dije se aktualisht janë 10 persona të cilët po ndiqen penalisht për veprat penale të mësipërme.

Janë arrestuar në flagrancë 4 persona, është kërkuar masa e sigurisë “arrest në burg” për 3 persona dhe është pranuar kërkesa për 2 persona.

Prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm kanë marë gjithsej 158 njoftime për vepra penale në fushën e zgjedhjeve prej të cilave 91 drejtpërdrejtë në prokurori.

Nga këto të fundit 70 njoftime përbëjnë kallëzime të subjekteve politike/kandidatëve drejtpërdrejt në prokurori, 3 njoftime të shtetasve në prokurori dhe 18 njoftime të institucioneve shtetërore në prokurori.

Nga çështjet e regjistruara kanë përfunduar me vendim pushimi 20 çështje me 2 persona ne hetim. Janë pezulluar 3 çështje dhe janë në gjykim 4 çështje me 4 persona.

Në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm janë në proces verifikimi paraprak 13 njoftime për veprat penale në fushën e zgjedhjeve.

Janë transferuar për kompetencë lëndore SPAK-ut 24 njoftime dhe është vendosur mosfillimi i procedimit penal për 34 njoftime.