"Cirk" në Qafë Botë, shqiptari alarmon policinë greke duke thyer traun e doganës, kapet pas 30 km ndjekje
Një shqiptar theu me makinë traun e doganës greke të Mavromatit, siç njihet ana tjetër e pikës kufitare të Qafë Botës këtë të martë, 2 nëntor.
Shoferi, idententiteti i të cilit ende nuk konfirmohet, pasi ka kaluar pjesën shqiptare të doganës, nuk i është bindur urdhërit të efektivëve të policisë greke për të ndaluar.
Ai ka shtuar shpejtësinë e makinës duke marrë përpara traun e doganës dhe ka vijuar lëvizjen brenda territorit grek.
Ngjarja ka vënë në alarm autoritetet helene, ku 6 makina policie i janë vënë në ndjekje makinës së drejtuar nga shqiptari.
Ndjekja policore si skenat e ngjashme me filmin shpejtësi e çmenduri raportohet se kanë vijuar për rreth 30 kilometra në territorin grek, derisa makina e drejtuar nga shoferi shqiptar është ndaluar në Igumenicë.
Në tentativë për ti shpëtuar arrestimit, ai raportohet se ka përplasur një nga mjetet e policisë greke që i ishin vënë në ndjekje.
Fatmirësisht incidenti raportohet se nuk ka pësuar lëndime as shtetasi shqiptar dhe as efektivët e policisë helene.
Pasi është vënë në pranga, shtetasi shqiptar është dërguar në policinë e Igumenicës.
Sipas burimeve, në makinë nuk është gjetur asgjë e ndaluar ndërsa policia ka dyshime se shoferi mund të jetë person me probleme psikologjike.
Policia e Igumenicës mësohet se ende është duke bërë verifikime për shqiptarin që theu doganën greke.

