Rrushi nuk ka treg, fermerët në Pogradec: Na “mbyti” maqedonasi, malli jonë shkon dëm
Ashtu si fermerët për prodhimet bujqësore, edhe kultivuesit e rrushit ankohen për mungesën e tregut për shitjen e prodhimit. Në Pogradec thonë tregjet po i mbyt malli maqedonas, ku fermerët kanë mbështetjen e shtetit ndaj shesin lirë
Hekuran Hamzai prej 40 vitesh merret me kultivimin e rrushit.
Një vit më parë ai prodhoi më shumë se 75 kuintal rrush në fermën e tij në fshatin Leshnicë të Pogradecit, ndërsa edhe këtë vit prodhimi është i madh.

Por, problemi sipas tij qëndron tek mungesa e tregut.
"Nga 75 kuintal gjysmën e shita dhe e shes verë ose raki kur gjej tregtarë. Vuajmë për ta shitur, prodhojmë shumë, ilaçet i marrim shtrenjtë, plehrat shtrenjtë dhe për të shitur nuk shesim dot rrush," tha ai.
Shkaku kryesor për situatën thotë se është hyrja me çmim të ulët e rrushit nga Maqedonia e Veriut.
"Rrushi vjen që andej, i Maqedonisë shitet, unë ja ku e kam. Maqedonasi shet më lirë sepse ka hektarë shumë, ne kemi pak," shtoi ai.

Gishtin e drejton nga institucionet si fajtorë.
"Shteti nuk ka investuar asgjë për bujqësinë, ne i japim votën ata na kthejnë bërrylin," tha Hamzai.
Edhe kryeplaku i fshatit, Ladi Liponi thotë se rrushi maqedonas po mbyt tregun vendas.
"Rrushi i Maqedonisë vjen me çmim shumë të ulët, kështu që ne me shpenzimet që kemi këtu na shkon çmimi më lart," tha Liponi.

Fermerët e kësaj zone prodhojnë me rrushin e tyre raki dhe verë ndërsa ende ka tonelata me rrush të pavjelur për shkak të mungesës së tregut.



