Krimi mjedisor mbetet pa ndëshkim/ Nafta nxin Gjanicën, banorët: Kompanitë e naftës na helmojnë

Mbetjet hidrokarbure shkëlqenin mbi ujin e zi të Gjanicës mëngjesin e së martës! Ndotja e lumit nuk ndalet kurrë, por pas reshjeve të shiut ajo është më intensive dhe më e dukshme.

Derdhjet hidrokarbure në lum gjatë ditëve me shi janë më të shumta pasi ndotësit besojnë se rrjedha e shtuar e ujit do ti largojë me shpejt.

Por gjurmët e krimit të pandëshkuar gjithmonë mbeten aty. Autoritetet që duhet ta ndëshkojnë, duket se mbyllin sytë.

Duhet të mjaftonte kjo pamje, që inspektorati mjedisor apo agjenci të tjera të ngrinin vetë alarmin dhe të gjenin e ndëshkonin fajtorin.

I madh e i vogël në Fier e jo vetëm  e di, që ndotja e Gjanicës vjen nga kompanitë e përpunimit të naftës që ushtrojnë aktivitet më lart e që mbetjet i derdhin në Gjanicë.

"Duhet te bëjnë më shumë kontrolle ata të Bashkisë. Kontrolli është i dobët, na shqetëson shumë.  Andej nga vjen burimi vjen i pastër."

Krimi mjedisor mbetet pa ndëshkim/ Nafta nxin Gjanicën, banorët:

Por kur institucionet heshtin, banorët e Fierit duhet të jetojnë me helmin e ndotjes nga kompanitë e naftës.

"Nga era dhe në shtëpi, hapim dritaret e të helmon era e gazit. Duhet të marrin masa."

Agjencia Rajonale e Mjedisit, e ka pranuar se ndotja e lumit Gjanica vjen si rrjedhojë e shkarkimeve nga kompanitë e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës por  ka dështuar të ndëshkojë fajtorët.

Edhe gjobat e vendosura ndër vite nuk janë vjelë pasi çështjet kanë përfunduar duke u zvarritur në procese gjyqësore.

Prokuroria e Fierit ndërkohë nuk ka zhvilluar asnjë hetim serioz për të gjetur dhe ndëshkuar kompanitë që e kthyen Gjanicën në Lumin me të ndotur në Shqipëri.