Vijon 'furtuna' në Policinë e Shtetit, Krenar Gjokutaj ikën nga Korça, ndryshime edhe te Operacionalja

Gledis Nano ka firmosur ndryshime të reja në radhet e policisë ndërkohë që ka larguar nga detyra shefin e komisatiatit të Korçës Krenar Gjokutaj, i cili një javë më parë doli në përgjimet e prokurorisë së Tiranës për abuzime me gjobat e vendosura gjatë pandemisë. Ndryshimet kanë prekur edhe forcat operacionale të cilat do të udhëhiqën nga Dashamir Bendo.

Kreu i policisë Gledis Nano ka firmosur disa ndryshime të tjera në drejtoritë vendore por edhe në rang shefave të komisariateve. Hajri Kushe, i cili mbante detyrën e zv.drejtorit per hetimin e krimit ne policinë e Kukësit tashmë është emëruar me të njëjtën detyrë në qarkun Shkodrës, i cili ka qenë problemtaik për shkak të ngjarjeve kriminale gjatë viteve të fundit.

Në vendin e Kushës është emëruar Ermal Lila, i cili mbante detyrën e shefit të komisariatit në Elbasan ku tashmë emërohet Alfred Cenaj.

Oficeri i policisë Krenar Gjokutaj, i cili mbate detyrën e shefit të komisariati në Korçë dhe që pas përgjimeve të dala nga prokuroria u pezullua nga detyra, është zëvendësuar nga Bujar Laze.

Ndërsa Vilson Bala, nga shef komisariati në Bulqizë është emëruar po me të njëjtin funksion në komisariatin e Durrësit.

 

Edhe komisariati i Pogradecit është prekur nga ndryshime, ku në drejtimin e tij është emëruar Oltion Agolli, i cili mbante detyrën e shefit të komisariatit në Peqin.

Në vend të Agollit është emëruar Pëllumb Kovashica, ndërkohë Aliosha Brokra, i cili ka qënë drejtuesi i komisariati të Vorës, ka kaluar specialist neëdrejtorinë e standardeve profesionale,  ndërsa në vendin e tij është emëruar Kreshnik Gjecka.

Forcat operacionale kanë ndryshuar drejtuesin e saj dhe nga kjo e martë do të udhëhiqen nga Dashamir Bendo.