Përdhunuan nxënësen në Kamëz, Apeli nuk ndryshon dënimin për rojen e shkollës, liri me kusht për 2 adoleshentët
Gjykata e Apelit në Tiranë ka lënë në fuqi dënimin me 12 vite burg për Abaz Dogën ish-rojen e një shkolle në Kamëz që akuzohet për përdhunimin e një nxënëse 14 vjeçare. Krahas dënimit të rojës, togat e zeza kanë pezulluar ekzekutimin e dënimit me burg ne shërbim prove për të arrestuarit në moshë të mitur.
Tirane- Gjykata e Apelit ne Tiranë dënoi me 12 vite burg Abaz Dogën ish-rojen e një shkolle në periferi të Tiranës që akuzohet për përdhunimin e një nxënëseje 14 vjeçare.
Ngjarja e rëndë ndodhi një vit më parë në Kamëz të Tiranës. E mitura bëri kallëzim penal më 29 maj të 2020 në lidhje me përdhunimin duke treguar se 65 vjeçari ka bërë edhe video intime të cilën e ka përdorur për ti bërë asaj presion me publikimin e saj.
Së bashku me 65 vjeçarin, Gjykata e Tiranës më 13 janar 2021 dënoi edhe tre të pandehur të tjerë të mitur, K.P i cili është dënuar me 7 vite burg. R.O me 3.8 vite burg F. B u dënua me 3.4 vite burg të cilët kanë abuzuar me të miturën. Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga të pandehurit, të cilët kërkuan një masë dënimi më të butë.
Por Apeli vendosi sot të lërë në fuqi dënimin për rojen e shkollës ndërsa për dy djemtë e shkollës është urdhëruar pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim, për pjesën e pavuajtur për një afat prove prej 4 vjet, me kusht që të mos kryejë vepër tjetër penale.

Skandali
Skandali u zbulua pas denoncimit të vajzës që nuk pranoi më shantazhet dhe kërcënimet e tij. Sipas Prokurorisë, ai përdorte filmime të bëra prej tij për të shantazhuar vajzat e mitura.
Ngjarja ka nisur në vitin 2019, në muajin mars, kur Doga përndiqte të miturën dhe e kërcënonte se do i tregonte prindërve të saj që ajo dilte me shoqet larg shtëpisë.
E gjendur përballë këtij presioni ajo ishte detyruar ta takonte, duke kryer edhe marrëdhënie me Dogën. E mitura e abuzuar ka dëshmuar përpara organit të akuzës se ajo është abuzuar për herë të parë nga Abaz Doga në vitin 2018 dhe më pas është detyruar të shkojë edhe disa herë të tjera me të dhe personat e tjerë për shkak të presionit me videon intime.

