Me tre urdhra ndalimi, djaloshi nga Prishtina fshihej në Durrës. Ishte arratisur nga burgu i Lipjanës

Merr fund arratia e një 20 vjeçari të dënuar për grabitje, vjedhje dhe trafikim të qenieve njerëzore, i arratisur nga burgu i Lipjanit në Kosovë, në tetor 2020.

Operacioni i koduar "Arratisja" u ndërmor nga Policia e Durrësit, Interpol Tirana dhe FAST Albania, në bashkëpunim me ILECU Kosovë.

"Në kuadër të operacionit u bë kapja dhe arrestimi provizor me qëllim ekstradimi drejt Kosovës, i shtetasit Riad Sopjani, 20 vjeç, banues në Prishtinë, i dënuar më parë në Kosovë, për grabitje, vjedhje dhe trafikim të qenieve njerëzore.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën ku ai strehohej në Durrës, gjetën dhe sekuestruan  në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike cannabis sativa" informoi sot policia.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Kosova, pasi është i kërkuar në nivel vendor në Kosovë dhe ka tre urdhra ndalimi të lëshuara nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

20 vjeçari ishte arratisur nga Qendra Korrektuese e Lipjanit, në tetor 2020.

 Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga strukturat hetimore të DVP Durrës u bë arrestimi provizor i tij, me qëllim ekstradimin në shtetin e Kosovës, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957.