Kushtetuesja vendos me 2 nëntor për vlefshmërinë ose jo të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit

Gjykata Kushtetuese do të vendosë me 2 nëntor për vlefshmërinë ose jo të zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit të vitit 2019.

Gjykata Kushtetuese u vu në lëvizje nga një kërkesë e Shoqatës së Bashkive për shpalljen të pavlefshme të atyre zgjedhjeve dhe përsëritjen e tyre.

Zgjedhjet u mbajtën në datën e shpallur fillimisht me dekret nga presidenti Ilir Meta, i cili tre javë para zhvillimit të tyre, më 10 Qershor, vendosi anullimin duke firmosur një tjetër dekret për organizimin e zgjedhjeve në muajin tetor.

Meta e argumentoi vendimin e tij me situatën tejet të tensionuar politike, duke qenë se opozita kishte nisur një seri protestash dhe kishte vendosur bojkotimin e zgjedhjeve vendore. Por dekreti i dytë i zotit Meta nuk u mor në konsideratë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Kushtetuesja vendos me 2 nëntor për vlefshmërinë ose jo

Venecia vulosi 30 qershorin

Kushtetuesja para se të vendoste mbi këtë çështje kërkoi mendimin e Komisionit të Venecias. Komisioni nga ana e tij vlerësoi se Kushtetuesja nuk ka kompetencë të shqyrtojë pavlefshmërinë e zgjedhjeve

"E drejta e partive të marrin pjesë në zgjedhje nuk është detyrim; bojkoti nuk është i pranueshëm dhe nuk mund të justifikoje cënimin e periodicitetit të zgjedhjeve; bojkoti nuk mund të kthehet në levë të partive për të bllokuar zgjedhjet;  e drejta e qytetarëve për të votuar nuk mund cënohet as me justifikimin e pluralizmit”.

Edhe pse në konkluzionin e mëparshëm për veprimtarinë e Presidentit shtyrja e datës së zgjedhjeve nuk konsiderohet shkelje e rëndë kushtetuese, Venecia këtë radhë shton se dhe Kreu i Shtetit nuk mund të anulonte votimet e 30 qershorit.

 “Presidenti nuk ka të drejtë të shtyjë zgjedhjet në kushtet e mungesës së bazes ligjore;  në këto raste gjykata Kushtetuese mund të konsideroje shtyrjen e zgjedhjeve si antikushtetuese; vendimi i Kolegjit Zgjedhor që konstaton pavlefshmërinë dekretit të Presidentit për shtyrje zgjedhjesh dhe pse s'është objekt shqyrtimi në Gjykatën nuk mund të nënvlerësohet e të mos konsiderohet”.

Gjiknuri: Gati për zgjedhje të pjesshme vendore, presim të ulemi në tryezë me PD

Partia Socialiste është shprehur e gatshme të marrë pjesë në zgjedhje në çdo moment që ato do të thirren.

Deklarata erdhi sot nga numri 2 i selisë rozë Damian Gjiknuri pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste.

Për Gjiknurin, Komisioni i Reformës Zgjedhore do të ngrihet pa asnjë pengesë dhe shpreson në konsensusin e opozitës për çështje të përbashkëta.

Bojkoti i opozitës

Partia Demokratike dhe LSI vendosi bojkotimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit pas djegies së mandateve parlamentare. Pas kësaj në votime u përfshi Partia Socialiste dhe Bindja Demokratike, çka solli që të gjitha bashkitë të ishin nën drejtimin e selisë rozë.

Pas zgjedhjeve, vetëm bashkia Shkodër drejtohet nga Voltana Ademi për shkak se pas akuzave mbi Valdrin Pjetrin, votimet nuk u zhvilluan.