"Foltorja asnjë lidhje me shpalljen non grata", Berisha: Dosja në Paris ka zero fakte, zero dokumente, zero prova
Ish-kryeministri, Sali Berisha, i ktheu përgjigje kryeministrit Rama dhe kreut të PD-së Basha, të cilët sipas tij e lidhin Foltoren me shpalljen e tij non grata nga DASH.
Berisha nënvizoi nga Lezha se për këtë çështje ka ndjekur rrugën ligjore në një gjykatë në Paris.
E ndërsa është njoftuar publikisht pranimi i kërkesës së Berisha nga gjykatësi në Francë, ish-kryeministri tha se në atë dosje ka zero prova kundër tij.
Berisha: Sot propaganda e Edi Ramës dhe e pengut të tij duan t'ju mashtrojnë ju dhe të paraqesin Foltoren, përpjekjen tonë, si një interes personal të Sali Berishës të lidhur me vendimin e DASH për shpalljen time non grata. Është absolutisht e pavërtetë. Atë vendim duke e patur të qartë si dritën e diellit se është i bazuar në shpifje Sali Berisha e mbajti kryekëput personal dhe u drejtova në gjykatë në Paris. Padita për shpifje zotërinë që firmosi vendimin. Kam kënaqësinë që t'ju them sot se jo vetëm gjykatësi ka pranuar shqyrtimin e padisë time por miq të mi më kanë njoftuar se ajo dosje ka zero fakte, zero dokumente, zero prova, ashtu siç u kam thënë ju. Megjithatë unë ftoj sekretarin e Shtetit dhe cilindo shtetar, qytetar, institucion të atij vendi dhe mbarë botës që çdo fakt, dokument, provë që të ketë ta çojë në sallën e gjyqit në Paris. Nuk kam asgjë personale.

