Kujtoi se ishin hajdutë, burri vret dy të rinjtë brenda makinës, tmerrohen banorët

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e djeshme Italinë, ku dy të rinj të moshës 26 dhe 27 vjeç, janë vrarë me armë zjarri. Giuseppe Fusella dhe Tullio Pagliaro, ishin të dy studentë me origjinë nga Portici.

Mediat italiane, bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur në via Marsiglia rreth orës një pasdite. Dyshohet se të rinjtë janë vrarë nga një 53-vjeçar, i cili ka qëlluar me armë zjarri drejt tyre duke i lënë të vdekur.

Sipas hetuesve të rinjtë janë qëlluar pasi pronari i një shtëpisë, V.P në periferi të Herculaneum dyshonte se ishin hajdutë.

Në fakt sipas mediave të huaja, viktimat ishin kthyer nga fusha e futbollit dhe kishin ndaluar para shtëpisë së tij për të bërë një bisedë, që për ta ka qenë edhe biseda e fundit.

 “Rreth orës 1.30 dëgjova katër-pesë të shtëna armësh dhe mendova se ishin fishek-zjarre sepse këtu në zonë kanë zakon të ndezin. Menjëherë erdhën sirenat dhe policia dhe u tremba shumë”, thotë Sofia, një banore e zonës.

Deri më tani nuk dihen shkaqet e vërteta të ngjarjes por autoritetet po merren me zbulimin e tyre.