Gjiknuri: Gati për zgjedhje të pjesshme vendore, presim të ulemi në tryezë me PD

Partia Socialiste është gati të marrë pjesë në zgjedhje në çdo moment që ato do të thirren. Deklarata erdhi nga numri 2 i selisë rozë Damian Gjiknuri pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste. Për Gjiknurin, Komisioni i Reformës Zgjedhore do të ngrihet pa asnjë pengesë dhe shpreson në konsensusin e opozitës për çështje të përbashkëta.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri deklaron se Partia Socialiste është gati të marrë pjesë në zgjedhje në çdo moment.

"Gati jemi edhe për zgjedhje të pjesshme vendore nëse Presidenti sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese do t'i dekretojë ato. Mendoj që GJK nuk ka pse ta vonojë vendimin pasi Opinioni i Venecias ishte shumë i qartë. Do ët thotë që brenda 45 ditësh siç e ka Kushtetuta, ai duhet ët dekretojë zgjedhjet. Ne jemi të gatshëm të marrim pjesë në zgjedhje dhe natyrisht t'i fitojmë ato," tha Gjiknuri.

Ai tha se Komisioni i Reformës Zgjedhore do të ngrihet pa asnjë pengesë dhe shpreson se me çështje të përbashkëta të arrihet konsensus me opozitën.

"Komisioni i Reformës Zgjedhore është një Komision që në traditën e çdo kohe në Parlamentin  shqiptar ka qenë një komision bipartizan dhe ne pas marrjes së kërkesës së PD-së shumë shpejt procedurat parlamentare do të vendosin ngritjen e përbashkët të këtij komisioni dhe unë nuk shoh ndonjë pengesë. Ne e kemi thënë vazhdimisht që për çështje që ka një traditë parlamentare që është bashkëpunimi, PS dhe PD dhe të tjetër duhet të jenë pjesë e një Komisioni, "tha Gjiknuri.

Deklaratat e tij Damian Gjiknuri i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste, ku për mediet ai theksoi se vëmendja është përqendruar tek partia pasi është ajo që fitoi zgjedhjet e prillit dhe që reflekton interesat e shqiptarëve.