Apeli shtyn vendimin për Gëllçin, ish-drejtori i RTSH-së kërkon të lirohet, vendimi do merret të shtunën

Gjykata e Posaçme e Apelit ka shtyrë për ditën e shtunë vendimin e ish ish-drejtorin e RTSH Thoma Gëllçi, i cili kërkon ndryshim të masës së sigurisë.

Ish-drejtori Gëllçi, kërkoi masë më të lehtë nga Apeli, me argumentin se arresti me burg është i papërshtatshëm dhe se ai nuk ka asnjë rrezik të prishë provat apo të largohet.

Ndërkohë prokuroria e kundërshtoi kërkesën e avokatëve duke kërkuar të ngelet në fuqi masa e "arrestit me burg."

Pas daljes nga seanca avokati i Thoma Gëllçit, Dorjan Matlia, e lidhi arrestimin e ish drejtorit të RTSH-së me garën për drejtues të këtij institucioni ku Gëllçi do të ishte një nga kandidatët potenciale por tani e ka të pamundur të kandidojë.

"Nuk mund të futet në garë sepse gara do të hapet me 1 nëntor dhe do të jetë 10 ditë e hapur. Duhet që personi vetë të paraqitet me platformën e tij dhe pastaj të thirret para këshilli për të dhënë një intervistë. Në kushtet e një arresti me burg këtë gjë nuk mund ta bëjë. Atë që ai fitoi me gjyq, që të detyronte kryetarin e këshillit drejtues që bëhej pengesë për të hapur garën, tashmë gara u hap por ju e shikoni se në çfarë kushtesh është Thoma Gëllçi, pengohet nga një rrethanë tjetër."

Gëllçi, bashkë me tre ish-vartësit e tij Alban Malaveci, Ervin Muraj dhe Julian Tapia akuzohen për pabarazi në tendera dhe abuzim me detyrën në kohë kur Gëllçi ishte në krye të RTSH.

Bëhet fjalë për një tender të vitit 2018 me fond prej 86 milionë lekë për blerjen e pajisjeve për kanalin RTSH Agro.

Nga hetimet gjithashtu ka rezultuar se Thoma Gëllçi si ish-drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar ka kryer shkelje ligjore në këtë procedurë prokurimi dhe akuzohet për shpërdorim detyre.

Thoma Gëllçi u arrestua më 8 tetor 2021