Tenderi për kanalin RTSH Agro/ SPAK arreston ish-drejtorin e RTSH-së, Thoma Gëllçi dhe 3 punonjës

Ish-drejtori i përgjithshëm i Radio Televizionit Publik Shqiptar Thoma Gëllçi është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme SPAK, për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera, më 8 tetor 2021. 

Gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Flora Hajredinaj firmosi më 7 tetor masën e sigurisë "arrest me burg" të Gëllçit dhe tre punonjësve të tjerë të RTSH-së.

Përmes një njoftimi zyrtar, Prokuroria bëri të ditur se ish-zyrtari i lartë i televizionit publik, i cili financohet nga buxheti i shtetit, akuzohet për shkeljet e konstatuara në procedurën e hapur të prokurimit me objekt blerje pajisjesh për kanalin RTSH Agro, me fond rreth 1 milion dollarë të zhvilluar në datën 9 nëntor 2018. 

Thoma Gëllçi i cili është shkarkuar nga detyra në vitin 2018 kur edhe ndodhën shkeljet, sipas SPAK, akuzohet se ka kryer veprën penale ''shpërdorim detyre", pasi me veprimet dhe mosveprimet e tij ka lejuar parregullsi dhe shkelje në procedurën e tenderit. 

Për të njëjtën çështje në pranga kanë rënë edhe tre punonjësit e RTSH Julian Tapia, Alban Malaveci dhe Ervin Muraj të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në tenderin e gjetur me shkelje.

Për katër të akuzuarit e kësaj çështje, Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës "arrest me burg" dhe Gjykata në datën 7 tetor 2021 e ka miratuar këtë kërkesë duke vendosur masat e sigurimit në mungesë të cilat janë ekzekutuar nga policia e shtetit.

I arrestuari Thoma Gëllci ka qenë drejtues i gazetës zyrtare të Partisë Socialiste zëri i popullit, ndërsa gjatë karrierës së tij ka punuar edhe si zëdhënës i disa qeverive të drejtuara nga kryeministra socialistë.

Emërimi i Gëllçit në drejtimin e RTSH është kritikuar në raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 30 qershorit 2019, ku thuhej se, “pozicionet e larta menaxhuese në televizionin publik nuk duhet të lihen në duart e njerëzve me anëtarësi të qartë politike”.

Të pandehurit pritet të njihen ditët në vijim me masën e sigurisë nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit.

NJOFTIMI:

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në datën 28.02.2020 ka regjistruar proçedimin penal nr.82/2020 për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal. Hetimet në kuadër të këtij proçedimi janë kryer në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Pas kryerjes së veprimeve hetimore gjithëpërfshirëse lidhur me këtë proçedim rezultoi se:

Në proçedurën e prokurimit “Proçedurë e hapur”, me objekt “Blerje pajisje për kanalin RTSH Agro”, me nr. REF-90011-10-16-2018, me fond limit 86. 908 550, 00 lekë (pa tvsh), zhvilluar në datën 09.11.2018 nga autoriteti kontraktor Radio Televizioni Shqiptar, janë konstatuar shkelje ligjore, të kryera nga ana e tre anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, konkretisht të hetuarve J.T., A.M. dhe E.M., shkelje këto të kualifikuara në elementët e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258 (para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021) të Kodit Penal.

Po kështu nga hetimet ka rezultuar se edhe shtetasi TH.G., me detyrë ish-Drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar, ka kryer shkelje ligjore në këtë proçedurë prokurimi, shkelje këto të kualifikuara në elementët e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Për këtë arsye, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, paraqiti në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për caktimin e masave të sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj shtetasve nën hetim J.T., A.M., E.M. dhe Th.G. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.79 datë 07.10.2021, vendosi: “Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë.

Vendosjen e masës të sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj shtetasit nën hetim Th.G., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimit i detyrës, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Vendosjen e masave të sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj shtetasave nën hetim J.T., A.M. dhe E.M., të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258 (para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021) dhe 25 të Kodit Penal. Ky vendim është ekzekutuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

Tenderi për kanalin RTSH Agro/ SPAK arreston ish-drejtorin e RTSH-së,

Tenderi për kanalin RTSH Agro/ SPAK arreston ish-drejtorin e RTSH-së,
Vendimi