Korreshi nuk i ndal batutat: Kisha sjellë një palë çizme për ministren e Bujqësisë, por s’mi lejoi Garda!
Deputeti demokrat Saimir Korreshi nuk i ka ndalur batutat në Kuvend. Gjatë fjalës së tij ai tha se fermerët i kishin dhënë një palë çizme për t'ia dhuruar ministres së Bujqësisë, por garda nuk e kishte lejuar t'i fuste në Kuvend.
Korreshi: Kisha një shqetësim me bujqësinë. Disa fermerë më kanë ngritur disa probleme. Më kishin bërë edhe një dhuratë për ministren e Bujqësisë, një palë çizme, por Garda nuk na e la t’i fusnim dhe i kërkoj ndjesë që nuk mund t’ia sillja dhuratën. Në rast se të bie rruga, ka 2 probleme emergjente për fermerët sot. Problemi ka dalë në vlerësimin e situatës për domaten “Ozgan”. Është një bimë që sjell shumë pak fruta. Sipas ministrisë së Bujqësisë keni thënë se ka defekte në teknologji, ka pasoja negative të klimës etj. Ky konkluzion nuk qëndron sepse në serrë janë mbjellë dy lloje farash, "Ozgan" dhe një tjetër çfarëdo dhe vetëm "Ozgan" nuk ka prodhim.
Një tjetër çështje që preku Korreshi ishte edhe borxhi që do të marrë shteti për OSHEE. Ai tha se do ishte mirë që një pjesë e këtyre lekëve të përdoreshin për të blerë batanije dhe për t’ua shpërndarë qytetarëve, në mënyrë që të ngrohen.
Korreshi: Kam edhe diçka në lidhje me OSHEE-në. Ju po merrni shumë lekë. Unë mendoj se me një pjesë të borxhit të blini disa batanije dhe t’i shpërndani për familjet që të ngrohen, pasi nuk kanë mundësi të ngrohen për shkak të çmimit të energjisë. Edhe batanijet që kanë pasur u janë grisur në këto 8 vite qeverisje.
