Vonesat me rindërtimin, Rama i kujton Xheferrajt pasionin për përmirësimin e cilësisë së diellit: Qëndrojini larg tërmetit!
Deputeti Ferdinand Xhaferri kishte kërkuar që zëvendëskryeministri të jepte llogari mbi vonesat e procesit të rindërtimit, por akuzave të hedhura nga i zgjedhuri i opozitës zgjodhi tu përgjigjet edhe kryeministri.
Nga foltorja e Kuvendit, Rama si për ti provuar që akuzat i ka të pabaza, i solli në vëmendje premtimin e hershëm për përmirësimin e cilësisë së diellit.
Më tej Rama pranoi se ka pasur një ngecje të procesit por kjo për shkak të pandemisë.
Duke e paralajmëruar opozitën të rrijë larg kësaj çështje, Rama tha se nëntori, muaji që shënon edhe 2 vjetorin e tërmetit, do të jetë i ngjeshur me inagurime shtëpish dhe apartamentesh të reja.
Edi Rama: Të gabosh është njerëzore, të këmbëngulësh në gabim është djallëzore. Ngritët me furi një uturi shpifjesh dhe akuzash, bëtë dhe një xhest dixhital. Mesiguri keni qenë i zënë me pasionin tuaj për përmirësimin e cilësisë së diellit. Ka ndodhur pandemia, kanë qenë muaj të tërë që kantierët janë bllokuar dhe detyrimisht dhe afatet do të shtyheshin. Por ajo që më shqetëson më shumë është se mbi çfarë baze i ngrini akuzat, flisni për babëzi dhe makutëri. Keni shifra? Shkollat kanë standarde, kritere, preventiva, janë zhvilluar si proces ndërtimi me gara, garat kanë dosje dhe mbi gjithë këto fakte mund të bëhen dhe qëmtime, hulumtime dhe investigime pastaj nxirren konkluzione profesionale, jo si mjek popullor apo akrobat popullor cirku. Është shumë e shëmtuar që gjithë kjo përpjekje të përbaltet pa asnjë bazë.
Shkollat janë ty krah për krah me shkollat që keni ndërtuar ju dhe kontrasti është si e sotmja me mesjetën. Në këtë aspekt nuk matemi me ju, nuk mund të matet cilësia e diellit me errësirën. Thua që janë fshirë sheshet për të fshehur gjurmët? Cilat gjurmë? Gjithë godiant e prishura kanë historikun e tyre dhe ajo është vlerësuar nga organet kompetente dhe nuk ka pasur nevojë të mbahen gërmadhat aty me muaj dhe vite. Ndryshimi me ju është se ju sytë u janë imunizuar nga plehrat, shëmtirat, deformimi se ndryshe nuk do ishit krenarë për masakrën urbane që keni promovuar si mrekulli të 8 të botës në Shqipëri. Në kohën kur ju qeverisnit duhet të dilje me duar në hundë dhe sy për të mos marrë erë, kjo është karakteristikë e qeverisjes tuaj historikisht.
Kemi një konflikt estetik. Për ju janë të panevojshme, të tepërta, kot, këto që flasim dhe investohemi ne. Numri i familjeve të cilat sot gëzojnë shtëpinë është i madh dhe do të rritet eksponencialisht javët e fundit të këtij muaji. Ju ftoj ju personalisht të na bashkoheni në hapjen e dyerve të shtëpive dhe apartamenteve për mijëra familje deri në 26 nëntor që bëhen 2 vjet nga tërmeti. Do shikoni me sytë tuaj si në Ishëm, Thumanë, Fushë Krujë, Laç, Bubq, Lezhë, Tiranë… Ka shumë gjëra për të cilat mund të kritikoni por tërmetit rrijini larg shumë se bëheni qesharakë kur flisni për një nga ndërmarrjet më të mëdha që do mbeten në histori. Në Itali, vendi i G7, njerëzit në rrulota pas 15 vitesh nga tërmeti.
Ne nuk jemi më të zotë por nuk kemi luksin ti lëmë njerëzit në presin. Të gjithë do të marrin atë që u takon. Afatet spostohen si rezultat i pandemisë që hyri në mes, bllokimit të kantiereve dhe si rezultat për të garantuar cilësinë maksimale për njerëzit. Asnjë familje nuk do jetë më keq por do jetë shumë më mirë se para tërmetit. Shkoni dhe në Shijak dhe Kavajë. Ndruyshimi mes nesh është ky, ajo që shoh unë ju nuk e shihni.

