Vodhën portën hyrëse të pallatit, një nga hajdutët zbrazi arkën e kursimeve të kishës në shtator

Gati 2 muaj pas ngjarjes policia e Korçës ka zbuluar një nga autorët e vjedhjes së arkës së kishës“Ringjallja e Krishtit” në qendër të qytetit.

Bëhet fjalë për shtetasin V.B, 37 vjeç, banues në Korçë. Më datë  2 shtator të këtij viti, në bashkëpunim me një person tjetër, ka vjedhur 6.000 lekë, tek arka e hedhjes së kontributeve në Kishën "Ringjallja e Krishtit" në Korçë.

Ai u kap në flagrancë duke kryer vjedhjen e fundit.

"Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve F. S., 38 vjeç dhe V. B., 37 vjeç, banues në Korçë, pasi këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në lagjen nr. 10, Korçë, kanë vjedhur derën e përbashkët të një hyrjeje pallati" njoftoi policia.

Nga veprimet e mëtejshme hetimore të kryera rezulton se shtetasi V. B., është autori i dyshuar edhe i dy vjedhjeve të tjera.

"Më datë 07.10.2021, në lagjen nr. 17, Korçë, ka vjedhur sende metalike dhe kabuj elektrikë. Më datë 13.10.2021, në lagjen nr. 3, Korçë, në bashkëpunim me shtetasin E. Z.(i arrestuar më parë) ka vjedhur një objekt antik prej bakri me vlerë 30.000 lekë, në banesën e shtetases M. A".