"Do jetë premtim i mbajtur për dy kahet politike", Ora News zbardh pr/ligjin e PD për uljen e TVSh-së
Ora News zbardh projektligjin e Partisë Demokratike për uljen e TVSH nga 20 në 6% për produktet bazë të shportës ushqimore.
Projektligji “Për një shtesë në ligjin nr. 92/2014 “Për Tatimin Mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar”, shoqëruar me relacionin përkatës, të propozuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike synon arritjen e dy objektivave: uljen e cmimit të produkteve të konsumit bazë si rezultat i uljes së zinxhirit të kostos nëpërmjet uljes së detyrimit tatimor si dhe zbutjen e varfërisë nëpërmjet mbajtjes në kontroll të cmimeve të produkteve bazike të shportës ushqimore, duke u dhënë mundësi për jetesën shtresave të varfra dhe më specifikisht rreth 20% të popullsisë, që jeton me 1 USD për individ në ditë (gjysma e shpenzimeve të shqiptarëve kalon për mallrat e konsumit të përditshëm).
Grupi parlamentar i PD-së nënvizon se përsa kohë që rritja e pagave dhe pensioneve nuk po ndodh prej shumë vitesh, është e detyrueshme reduktimi i TVSH-së për të frenuar rritjen e pandalshme të cmimeve të produkteve ushqimore bazë të shportës, pasi pagat nuk po ndjekin rritjen e cmimeve të mallrave.
PD nënvizon se reduktimi i TVSH-së nga 20 % ne 6% do të jetë një premtim i mbajtur për të dy kahet e politikës shqiptare, pasi kur partitë kryesore kanë qenë në opozitë kanë kërkuar këtë ndryshim.
"Në këtë mënyrë sjelljeje të re të përgjegjshme, politika tregon ndjeshmëri qytetare dhe ndërveprim me nevojat e qytetarëve".
Ndikimet dhe implikimet buxhetore janë llogaritur, duke u referuar të dhënave statistikore nga INSTAT.
Nga një vlerësim paraprak, në Shqipëri janë 768.963 mijë familje, me një buxhet familjar mesatar së shportës së ushqimit prej 83.475 mijë lek/familje (3.6 persona); nga këto konsumohen 16.200 mijë lek për shportën bazë të ushqimeve.
Me uljen e TVSH-së nga 20% në 6%, për shportën bazë ushqimore, buxheti i shtetit do ketë një rënie prej 17 miliardë lekë/në vit.
Propozohet, që për të përballuar vështirësitë ekonomike, të ulet TVSH-ja dhe efekti negativ prej 17 Mld lekë, të gjenden nga Programi i PPP-ve për vitin 2022, ose rialokimi i fondeve për shpenzime jo prioritare.
