Gjykata e Posaçme nuk ka letër, shtyhet seanca për tenderin e uniformave të policisë
Mungesa e letrës u bë shkak për shtyrjen e seancës së radhës në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion ndaj zyrtarëve të akuzuar për tenderin e uniformave të policisë. Avokatët e dhjetë të pandehurve kërkuan të njihen me materialet e dosjes, por togat e zeza i njoftuan se nuk kishin mjaftueshëm letër për fotokopjimin e materialeve.
Tirane - Dhjetë personat e akuzuar për tenderin e uniformave në Ministrinë e Brendshme, së bashku me avokatët e tyre u paraqiten të martën në Gjykatën e Posaçme, ku pritej që të vendosej nëse do të pranohej apo jo kërkesa e prokurorisë për kalimin e çështjes në gjyq.
Por në nisje të seancës avokatët kërkuan të njihen me materialet e dosjes së Prokurorisë, gjë që u cilësua e pamundur nga gjykata, pasi nuk dispononte sasitë e letrës së nevojshme për tua fotokopjuar materialin voluminoz.
Në këto kushte seanca u shty dy javë për në datën 10 nëntor, kohë gjatë së cilës Gjykata e Posaçme, një nga më të rëndësishmet në vend, do të pajiset me letër për të mundësuar fotokopjimin e dosjes.
Të pandehur për tenderin e uniformave janë ish-drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqëndruara Edlira Naqellari dhe bashkëpunëtorët e saj Flutura Çekrezi, Ani Omuri, Kleivis Hasani, Anisa Bogdani, dhe anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, Kreshnik Bejkaj, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali dhe Gëzim Mingaj, të cilët akuzohen për shkelje të barazisë në tendera.
Tenderi me vlerë 25 milionë euro është dhënë në kohën kur Ministria e Brendshme drejtohej nga Sandër Lleshaj, ndërsa është kallëzuar në vitin 2020 nga Grupi Parlamentar Demokrat, përkatësisht nga Myslim Murrizi dhe Halit Valteri.

