Shehi pro mbledhjes së Kuvendit: Berisha ka shumë tifozë, Basha burokracinë. Nuk është fundi i botës dhe nëse PD ndahet
Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, në një intervistë për Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma thotë se nuk po i lë shije të mirë mënyra sesi po përshkallëzon debati brenda PD, ndaj ai është i mendimit që Kuvendi duhet të mblidhet edhe nëse në atë mbledhje shkarkohet Lulzim Basha si kryetar.
Shehi: Ja vlen nëse e mbajmë debatin në rrafshin politik, për ide. Nëse debati degjeneron siç po degjeneron në sharje, goditje poshtë brezit, kjo nuk i bën mirë PD dhe as opoziës. As kjo nuk është drama e madhe. Nëse do bëhet një Kongres le të bëhet. Për të dy zotërinjtë në fjalë, të dy e kanë drejtuar këto 8 vjet, nëse mundohe të gjejnë fajtorë jashtë dualizmit të vet është e kotë. Për këtë situatë që ka sot PD përgjegjësit kryesorë janë këta dy zotërinjtë, në radhë të parë Basha sepse e ka mbajtur dhe formalisht titullin e kryetarit, të paktën për këtë mandatin e dytë.
Lulzim Basha deklaroi sot se askush nuk do ti përdorë si mish për top demokratët.
Shehi gjykon se Berisha ka mbështetje më të madhe në bazë, ndërsa Basha ka pjesën burokrate të partisë nën kontroll.
Sidoqë të jetë, deputeti Shehi thotë se kësaj telenovele duhet ti nxirret fundi edhe nëse përfundon me ndarje të partisë.
Shehi: Uroj që të mos përdoret asnjë palë mish për top, sigurisht që Berisha ka shumë tifozë brenda partisë. Ka një pjesë të partisë, mund të jenë më shumë se pala tjetër. Basha ka burokracinë e partisë, funksionarët, të nominuarit, të emëruarit, të zgjedhurit. Duke e trajtuar problemin siç po e trajtojnë do ti bëjnë dëm PD, vetes dhe opozitës në përgjithësi por ndoshta dhe kjo është një sëmundje që duhet ta kalojë opozita. Zgjedhjet më të afërta i kemi pas një viti, një viti e gjysmë. Kemi kohë të rikuperojmë, të bashkohemi. Nëse këto janë si puna e frythit, disa sëmundje duhet ti kalojë njeriu në jetën e vet.
Janë një çikë në moshë të madhe këta prandaj janë të rrezikshme këto lloj sëmundjesh, le të kalojë. Është një propces normal edhe nëse rezulton me një ndarje të PD, uroj që jo, por edhe nëse ndodh nuk shoh fundin e botës. Ndoshta është rruga për të zgjeruar dhe bazën e konsensusit poshtë. Kemi 8 vjet në opozitë. Duke u bashkuar partia bëhet shkëmb por shkëmb i vogël. Ne duam të jetë hapësirë e madhe politike, të kalojë 50-60% të shqiptarëve që të rrëzojmë Edi Ramën. Ky është qëllimi i opozitës, jo kush kontrollon oborrin te PD buzë Lanës. Atë ta mbajë kush të dojë.
