PD kërkon uljen e TVSH-së në 6% për produktet e shportës, Tabaku: Do ulë çmimet
Partia Demokratike ka dorëzuar zyrtarisht nismën për uljen e TVSH-së nga 20% në 6%. Jorida Tabaku, tha se kjo masë nxit rritjen e konsumit, duke ndihmuar qytetarët në kushtet e një krizë të rendë ekonomike. Efekti financiar i uljes së TVSH-së në 6 përqind është 17 miliardë lekë.
Partia Demokratike depozitoi iniciativën ligjore për propozimin e uljes së TVSH-së për produktet ushqimore të shportës nga 20% në 6%.
Deputetja Jorida Tabaku, tha se pranimi nga ana e qeverisë e kësaj mase do të kishte një ndikim të menjëhershëm në treg, duke ndihmuar qytetarët në kushtet kur çmimet janë rritur në një situatë të jashtëzakonshme.
"Do të bëjë atë që ka bërë në të gjitha vendet e BE, do bëjë atë që nuk po bën dot qeveria, do të ndihmojë shtresat në nevojë që të rrisë dhe nxisë konsumin e tyre.Sot shumë vende të BE kanë ulur TVSH si njënxitje dhe stimulim për ekonominë.Nuk themi se funksionojë 100 %, por do të ndihmojë direkt tek qytetarët duke ulur çmimet në treg".
Por a do të ndikonte ulja e TVSH-së në buxhet dhe cili do të ishte efekti financiar?
Tabaku dha këtë përgjigje:
"Efekti është 17 mld lekë që është asgjë në krahasim me favoret që ka pasur buxheti i shtetit vitet e fundit".
Në kohën kur demokratët ishin në pushtet socialistët patën propozuar uljen e tvsh-së për ushqimet në 6 për qind. Por kjo masë nuk u pranua dhe për këtë Tabaku ka këtë shpjegim.
"Kjo është në përgjigje të një krize, nuk, ka ardhur nga asgjëja. Është përgjigje ndaj krizës së pandemisë që dëmtoi rëndë 95% të qytetarëve vitin e kaluar dhe është duke pasur pasoja dhe sot dhe është një përgjigje që janë duke e marrë të gjitha vendet."
