Facebook dhe Youtube bllokojnë videon e presidentit brazilian për vaksinat, ja çfarë tregonte

Facebook  dhe YouTube kanë hequr nga platformat e tyre një video të presidentit brazilian, Jair Bolsonaro, në të cilën lideri i ekstremit të djathtë thotë se vaksina e Covid-19 lidhet me sëmundjen seksualisht të transmetueshme,   SIDA.

Facebook dhe YouTube thanë se videoja, e cila u publikua të enjten e kaluar ( 21 tetor), shkel politikat e tyre.

"Politikat tona nuk lejojnë pretendimet se vaksinat Covid-19 vrasin ose dëmtojnë seriozisht njerëzit," tha një zëdhënës i Facebook në një deklaratë.

YouTube konfirmoi se kishte ndërmarrë të njëjtin hap më vonë gjatë ditës.

Që nga fillimi i pandemisë, në mars të vitit të kaluar, Bolsonaro ka folur vazhdimisht kundër izolimit, maskave dhe vaksinimit.

Kjo nuk është hera e parë që videot e tij hiqen nga platformat digjitale, për shkak të shkeljeve të politikave.

Vitin e kaluar, Tëitter dhe Facebook kanë hequr videot, ku Bolsonaro ka pretenduar se numrat e lartë të të infektuarve me koronavirus do ta bëjnë Brazilin imun.

Brazili ka përjetuar një ndër normat më të larta të infektimit dhe vdekshmërisë nga koronavirusi.

Sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins, mbi 21 milionë njerëz janë infektuar atje dhe mbi 605,000 kanë vdekur.

Sipas Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara për HIV dhe AIDS (UNAIDS), vaksinat kundër COVID-19 të miratuara nga rregullatorët shëndetësorë janë të sigurta për shumicën e njerëzve, përfshirë ata që jetojnë me HIV, virusi që shkakton sindromën e mungesës së imunitetit të fituar, të njohur si SIDA.