Heroina në portin e Durrësit: Nga 43 pako, 16 ishin me mbishkrimin "Banane"
(Lajmi u perditesua)
Lënda narkotike që u kap mbrëmjen e 26 tetorit 2021 në një kamion në portin e Durrësit është e llojit heroinë.
Mësohet se policia ka sekuestruar 45 kilogram e 500 gram heroinë.
Droga ishte fshehur në kabinën e kamionit të ngarkuar me krom.
Heroina ishte e ndarë në 43 pako e mbështjellë me letër natriban. 16 pako kishin mbishkrimin "banane" ndërsa pakot e tjera nuk kishte asnjë mbishkrim por nga një shirit të bardhë ose të zi.
Në pranga në kuadër të operacionit "Portëz" kanë rënë dy persona, pronari i mjetit dhe drejtuesi, të identifikuar si Arian Çerma, 45 vjeç, banues në Durrës dhe Olgert Duda, 36 vjeç banues në Fier.
Droga do të trafikohej drejt Italisë.
"Gjatë kontrollit në dalje në vijën e dytë, në kamionin tip "Scania" në pronësi të shtetasit A. Ç., që drejtohej nga shtetasi O. D. dhe i ngarkuar me krom, me destinacion shtetin italian, me konkretisht në kabinën e kamionit, u gjetën të fshehura 43 pako të mbështjella me natriban brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar heroinë, me peshë totale 45 kilogramë e 500 gramë" sqaron policia.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprën penale “Trafikimi i narkotike”, kryer në bashkëpunim.
