Drejt – Inceneratorët dhe drejtësia, plehrat marrin 178 mln euro

Prej të paktën 6 vitesh, çështja e inceneratorëve ka prodhuar debat të fort në politikën shqiptare.

Historia e djegies së mbetjeve me qëllim prodhimin e energjisë e ka zanafillën në fund të vitit 2014 ku qeveria e drejtuar nga Edi Rama, dhe e ardhur në pushtet nga koalicioni PS-LSI, firmosi tre kontrata koncesionare për ndërtimin e inceneratorëve në Elbasan, Fier dhe në Tiranë me një vlerë totale prej 178 milionë eurosh.

Por çfarë është incerimi?

Trajtimi me djegie ose incenerimi është një metodë e njohur për asgjësimin e mbetjeve të ngurta urbane. Djegia e materialeve të mbetjeve konverton mbeturinat në hi, gaz dhe nxehtësi.

Ky proces shoqërohet me një ndotje të përmasave të konsiderueshme.

Ekspertë të mjedisit dhe shëndetit thonë se djegia çliron elemente të rrezikshëm që konsiderohen kancerogjene për trupin e njeriut.

Por pavarësisht kritikave të forta dhe protestave të banorëve qeveria e çoi deri në fund planin për ndërtimin e inceneratorëve.

I pari që u inaugurua ishte ai i Elbasanit, në 18 prill të vitit 2017.

Në Fier banorët e fshatit Vërri protestuan disa muaj kundër ndërtimit të impiantit, shumë prej tyre pas përplasjeve me forcat e policisë përfunduan pa hekurave.

Koncesioni i Fierit me vlerë investimi 28 milionë euro dhe me kapacitet përpunimi rreth 200 ton mbetje në ditë u shpall në shtator 2016 nga Ministria e Mjedisit.

Inceneratori i Fierit, sipas parashikimit fillestar në kontratën e nënshkruar duhej të ishte në funksion prej muajit shtator 2019 por pas shtyrjes së afateve në kontratë, inceneratori nisi punën në gusht të këtij viti, gati 2 vite me vonesë.

Inceneratori i Elbasanit dhe ai i Fierit zotërohen respektivisht nga kompanitë Albtek Energy me pronare Stela Gugallja dhe Integrated Technology Waste Treatment Fier, ku 70 % e aksioneve zotërohen nga Klodian Zoto.

Ndërkohë, 30 për qind e aksioneve të koncesionit me vlerë rreth 28 milionë euro iu shitën një kompanie lokale për 30 mijë lekë, vetëm një muaj pas themelimit të kompanisë koncesionare.

Për impiantin e Fierit më 21 tetor të këtij viti LSI ka dorëzuar një kallëzim në SPAK. Në kallëzimin theksohet se ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, ish-sekretari i Përgjithshëm i kësaj ministrie sot deputet i Partisë Socialiste, Alqi Bllako dhe kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi kanë kryer dy vepra penale atë të ‘Shkeljes së barazisë në tendera’ dhe ‘Shpërdorimin e  Detyrës’.

Një vit më parë edhe nisma "Thurje" ju drejtua SPAK po për të njëjtën çështje ku akuzonte qeverinë se është kompromentuar në falsifikimin e dokumenteve të pronësisë ku u ndërtua inceneratori i Fierit.

Në Strukturën e Posaçme Antikorrupsion ka përfunduar edhe inceneratori i Tiranës që është më i madhi dhe më i kushtueshmi ndër të tre dhe që u fitua nga kompania Integrated Energy B.V me seli në Amsterdam të Holandës.

Partia Demokratike depozitoi 19 tetor 2020 një kallëzim penal për inceneratorin e kryeqytetit, të cilin e konsideron një projekt mafioz me lidhje që çojnë sipas saj deri të kryeministri Edi Rama.

Përveç pikëpyetjeve mbi pronësinë, projektet e inceneratorëve kanë ngritur shqetësime për shumëfishim të kostove për trajtimin e mbetjeve në Shqipëri si dhe impaktin e tyre mbi mjedisin, ndërsa lidhur me gjithë akuzat, SPAK njoftoi një vit më parë se ka nisur hetimin mbi këtë çështje të nxehtë që vijon të trazojë politikën shqiptare.