"Bam me shkelma e grushta. Ma theu telefonin në kokë." Amarildo tregon dhunën barbare të policëve të Lushnjes
Amarildo Hoxha një tregtar i fruta-perimeve nga Elbasani dëshmon dhunën fizike që efektivë të policisë së Lushnjes kanë ushtruar ndaj tij në rrethrrotullimin e Savrës, Fier, dy ditë më parë.
Hoxha po udhëtonte me mjetin e tij tip "Furgon" nga Fieri në drejtim të Elbasanit ndërsa është ndaluar nga një postbllok poilicie i komisariatit të policisë Lushnje.
Sipas Hoxhës, dy efektivët e policisë e kanë dhunuar fizikisht pasi ky i fundit në momentin e ndlimit ishte duke filmuar me telefonin e tij.
Në një prononcim të dhënë sot në vendin e ngjarjes, Amarildo Hoxha jep versionin e tij dhe kërkon drejtësi për ngjarjen e ndodhur.
Policia deklaroi dje se një grup pune është nisur drejt komisariatin të Policisë së Lushnjes dhe do të nisë hetim disiplinor në rast se konstatohet tejkalim i kompetencave të punonjësve të Policisë në kryerjen e detyrës.
Dëshmia e Amarildo Hoxhës:
"Vija nga Fieri, këtu ishin policët, nxorën tabelën dhe më thanë hap krahun, më jep patentën, lejen e qarkullimit. Të gjitha dokumentet e mjetit ia dhashë. Në kroskot të makinës kisha telefonin, që po dëgjoja muzikë dhe po bëja(video) live nga Fieri aty. Polici e pa atë (telefonin) dhe tha: "Do më heqësh nga puna mua ti" dhe filloi me të ofenduar, me të sharë.
"Ma jep telefonin" tha, para se të godiste. Unë nuk ia dhashë telefonin, ai filloi të më godiste (xhamin e kisha të hapur) në kokë bam bam këtu dhe në sy. Hapi derën me zor, më shqeu dhe bluzën, kemi pamje për këtë. Mori telefonin dhe më binte me telefon në kokë dhe më shante. Tjetri erdhi me vrap të mbante atë policin: "Çfarë ka tha."
"Me video do më heqë nga puna", dhe vetëm godiste. Më mori dhe zvarrë dhe më ka goditur deri atje te tabela bam me shkelma, sepse nuk i hipa në furgon.
Më hipi lart në furgon, më kyçi, mori makinën time dhe iku. Kisha frikë mos fuste drogë te makina ime. Nuk jam i aftë më për punë. Më ka ikur shikimi, nuk shoh më. Kam bërë denoncim në Lushnje. Nuk më ka marrë asnjeri në pyetje, përveç juve dhe prokurorit dhe më kërkon të bëj vizitën mjekoligjore. Do shkoj në spital privat të vizitohem se jam dëmtuar jashtë mase. Policit ia kam dhënë të gjitha dokumentet në dore e i ka marrë me vete. Ja ku i keni kamerat, të vijnë të ballafaqohen me mua. I kam të gjitha letrat të sakta.
Ata më kanë dhunuar jashtë mase. Kërkoj drejtësi nga shteti. Nuk më ka kërcënuar asnjë nga mbrapa dhe nuk jam ballafaquar me policët që më goditën. Më thoshte do të vras fare, po bëre gjë. Unë as që e kam ofenduar. Nuk kam dalë unë tani, një tregtar që shet domate, speca të bëj gangsterin me policin. Ja ku i keni të gjitha me kamera. Ata i acaroi telefoni im, pse ishte live dhe po i filmoja unë ata. Ma theu telefonin në kokë. Tabela e tyre është thyer në kokën time."
Edhe babai i tij Pëllumb Hoxha kërkon zbardhjen e ngjarjes dhe drejtësia të vihet ne vend pasi e quan te pashpjegueshëm reagimin e policisë.
"Syrin e çunit e dua në vend siç e pati. Se kush e bëri nuk dua ta di fare. Dhe mbreti i mbretërve të jetë. Un jam i ati, jam Pëllumb Hoxha nga Samatica, me pesë unaza. Syrin e çunit e dua në vend," tha babai i Amarildos.
Ne komunikatën e policisë në orët e vona mbrëmjen e djeshme, 24 tetor jepet një version i kundërt me atë të të dëmtuarit. Sipas komunikatës zyrtare thuhet se Hoxha ka ofenduar dhe nuk ka pranuar që të japë dokumentet punonjësve të policisë duke i kërcënuar me jetë.
