Rama e kritikoi, Llatja nis aksionin, Bashkia e Elbasanit largon tregtarët ambulantë: Nuk kemi ku shesim, ku të mbytemi

Pas kritikave që kryeministri, Edi Rama, i bëri Bashkisë së Elbasanit për nivelin e lartë të ndotjes që ka në vend, duket se Bashkia ka filluar të marrë masa.

Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, Bashkia ka bërë të ditur se që prej ditës së sotme do fillojnë një sërë aksionesh, kryesisht ndaj atyre që Bashkia e Elbasanit i cilëson si faktorë ndotës.

Sipas Bashkisë, si përgjegjës kryesor për ndotjen në qytet janë tregtarët ambulantë.

Por sipas Ndërmarrjes së Shërbimeve publike në qytetin e Elbasanit pastrimi dhe mbledhja e mbeturinave në qytet bëhet një herë në 3 ditë.

Kjo është arsyeja kryesore që ka grumbullim mbetjesh dhe vështirësi oër grumbullimin e tyre.

Por çfarë thonë tregtarët ambulantë?

Tregtarët shprehen kundër këtij vendimi. Ata kërkojnë një vend të posaçëm për ta, në mënyrë që të tregtojnë në kushte të përshtatshme.

Ata shprehen se dalin në rrugë për të siguruar bukën e gojës.

"Ku të shkojmë, ku ti çojmë?  Ku të mbytemi? Është shumë vështirë të tregtojmë në këto kushte, por nuk kemi ku të shkojmë", thonë tregtarët.