Eurobondi 500-700 milionë, Tabaku: Barrë për shqiptarët, nuk e dimë për çfarë do përdoret
Komisioni i Ekonomisë diskuton marrjen e eurobondit 500-700 milionë euro. Eurobondi që pritet të emetohet në vitin e ardhshëm do të përdoret për të mbuluar nevojat e qeverisë, si për financimin e borxhit të kaluar ashtu edhe për nevojat që ka shkaktuar pandemia.
Deputetja demokrate Jorida Tabaku e konsideron marrjen e këti eurobondi shumë të rrezikshëm, pasi sipas saj nuk dihet se për çfarë do të përdoren nga qeveria ky borxh. Ajo u shpreh se borxhi është i mirë vetëm në momentin që përdoret për investime të rëndësishme në ekonomi.
“Janë disa faktorë që ministria nuk i ka marrë parasysh. Borxhi publik është në rreth 80%, jemi në listën gri për pastrimin e parave. Ministria nuk i ka marrë parasysh këto problematika dhe janë shqetësim për mua. Ne po marrim borxh por pa e ditur se për çfarë po e marrim, borxhi i marrë nuk është përdorur vetëm për investime por është përdorur edhe për shpenzime operative dhe është përdorur edhe për paga. Unë nuk e pranoj që anëtarët e këtij komisioni të vijnë me deklarata, aq më tepër dhe ministria e Financave që na bën mirë borxhi. Borxhi na bën mirë kur kthehet në ekonomi, kur përdoret për investime, kur shoqërohet me nxitjen e investimeve private.
Në 2013 borxhi ishte 6.3 miliardë euro ndërsa tani është mbi 10.2 miliardë euro dhe nuk e dimë sesi është përdorur dhe a ka pasur efektivtivitet. Nuk e dimë si do përdoret ky borxh dhe për mua është shumë i rrezikshëm. Shqetësimi i dytë është për deklaratën e FMN që pati kritikë kryesore sesi është menaxhuar borxhi publik. FMN kërkoi rishikim të prioriteteve, nuk mund të marrim borxh për të paguar kontratat e PPP. Hajde diskutojmë se si mund të përdoret në mënyrë efektive për sektorë që nxisin ekonominë, por për të marrë borxh për paga dhe pensione nuk besoj që është në të mirë të këtij Komisioni dhe në të mirë të Shqipërisë", tha Tabaku.
