Nisin hetimet për dhunën e ushtruar nga Policia e Lushnjes drejt një qytetari nga Elbasani

Një grup pune do të dërgohet në komisariatin e Policisë së Lushnjes me qëllim verifikimin  e denoncimit të qytetarit për dhunën barbare të ushtruar nga efektivët e Lushnjes.

Përmes një njoftimi policia informon se do të nisë hetim disiplinor në rast se konstatohet tejkalim i kompetencave të punonjësve të Policisë në kryerjen e detyrës.

"Në lidhje me këtë rast, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale, për të dërguar një grup pune në Komisariatin e Policisë Lushnjë, me qëllim verifikimin e rastit dhe nisjen e hetimit disiplinor në rast se konstatohet tejkalim i kompetencave të punonjësve të Policisë në kryerjen e detyrës" thuhet në sqarimin e policisë.

Më tej tregohet versioni i policise si ka ndodhur ndalimi i qytetarit.

"Në kuadër të masave të marra për kapjen e autorëve të vrasjes së ndodhur në orët e mbrëmjes së datës 23.10.2021, në qytetin e Fierit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë kishin ngritur pikë kontrolli në vendin e quajtur "Rotondo e Savrës", Lushnjë.

 

Rreth orës 04:40 të mëngjesit të datës 24.10.2021, kanë ndaluar mjetin me targa AA 935 CR ( me drejtues të identifikuar më pas si shtetasi A. H., 28 vjeç, banues në Drenovicë, Berat), i cili ka refuzuar të japë dokumentet e identifikimit, duke fyer dhe kanosur  për jetën efektivët e Policisë.

Shërbimet e Policisë kanë bërë shoqërimin forcërisht të shtetasit  A. H., në Komisariatin e Policisë Lushnjë.

Duke qenë se edhe shërbimet e Policisë edhe shtetasi i shoqëruar kanë patur pretendimet respektive, është njoftuar Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, e cila ka vënë në dispozicion një oficer të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë, për të kryer veprimet.

Nga ana e oficerit të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë janë administruar kallëzimet e punonjësve të Policisë, kallëzimi i shtetasit A. H., këqyrja dhe vendimi i ekspertimit mjeko-ligjor për shtetasin A. H.

Në përfundim të veprimeve procedurale, oficeri i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lushnjë ka komunikuar me Sallën e Komandimit pranë Komisariatit të Policisë Lushnjë, për të komunikuar veprimet hetimore dhe hetimin e këtij personi në gjendje të lirë."