Shembja e Cirkut nën hetim, KLSH hap dosjen për Ministrinë e Kulturës dhe Drejtorin e institucionit

Kontrolli i Lartë i Shtetit nisi hetimet për shembjen e Cirkut në Tiranë. Artistët bëjnë përgjegjës Ministrinë e Kulturës dhe Drejtorin e institucionit.

Katër ditë nga shembja e çadrës së Cirkut Kombëtar Shqiptar në Tiranë, Kontrolli i Lartë i Shtetit i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së artisëve dhe ka urdhëruar nisjen e menjëhershme të auditimit.

Artistët kërkuan një hetim të thellë për aktet e ndërmarra nga drejtori i Cirkut, Ilirjan Gjini, dhe Ministria e Kulturës.

Në shkresën drejtuar KLSH ata kanë evidentuar se nga ana e punonjësve të këtyre institucioneve janë kryer shkelje në procedurën e mbrojtjes së interesave të tyre në procesin gjyqësor.

Sipas artistëve, prej 18 muajsh drejtori i Cirkut ka neglizhuar shkresën për shembjen e çadrës duke mos ndërmarrë asnjë veprim.

Ndërkohë, Cirku Kombëtar u hoq 4 ditë më parë pasi gjykata vendosi që trualli ku ngrihej çadra t’i rikthehet pronarit.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka premtuar një shtëpi të re për artistët.

Sipas saj, ndërkohë që beteja ligjore vijon, aktivitetet do të kryhen në palestrën e një shkolle aty pranë.

Por, ambient i ri se ku do të zhvendoset Cirku Kombëtar nuk është përcaktuar ende dhe kjo është pikërisht kërkesa e artistëve që ata të mos mbeten rrugëve.