Kursim e varfëri në Gjirokastër, familjet e qytetit të gurtë shpenzojnë sot më pak se në 2009

Gjirokastra është i vetmi qark në Shqipëri ku shpenzimet familjare për jetesë janë tkurrur me rreth 4 për qind në 10-vjeçarin e fundit. Banorët thonë se gjendja financiare ka ardhur në përkeqësim dhe tkurrja e shpenzimeve për konsumin mujor, vjen si pasojë e mungesës së të ardhurave.

Gjirokastra është qarku i vetëm në Shqipëri ku sipas INSTAT, familjet kanë ulur shpenzimet për konsum në krahasim me dhjetë vite më parë. Konkretisht një familje gjirokastrite në vitin 2009 shpenzonte mesatarisht 79,494 lekë në muaj, ndërsa në vitin 2020 kjo shifër ka zbritur në 72,923 lekë, ose 4 % më pak.

Vetë qytetarët e Gjirokastrës e pranojnë se gjendja e tyre financiare në 2009 ka qenë më e mirë se sot.

"Nuk blihen të gjitha, pensionet janë shumë të ulëta," thotë qytetari.

"Përpara 10 vitesh edhe lekë kishte më shumë," thotë një e moshuar.

Banorët e qytetit të gurtë shprehen se edhe për tu ushqyer ka raste që marrin borxh!

"Hamë me borxhe, shikoji listat. Dritat pa paguar, uji pa paguar, të gjitha pa paguar," thotë qytetari.

"Duam të marrim shumë gjëra, por do shtrijmë këmbët sa kemi jorganin," thotë qytetarja.

"Marrin shumë persona me borxhe," thotë qytetari.

Ritmet më të larta të shpenzimeve familjare në dhjetë vitet e fundit i ka Berati, Tirana, Durrësi e Korça, ndërsa më të ulëtat Gjirokastra, Fieri, Lezha, Vlora dhe Shkodra.