Protestë për “Pushimin e Shoferit”/ Banorët e Lushnjes dhe Divjakës bllokojë autostradën Lushnje-Fier

Banorët e fshatrave të Lushnjes dhe Divjakës bllokuan autostradën Lushnje Fier, në shenjë protestë për mbylljen e kryqëzimit të "Pushimit të Shoferit', që shërbente si nyje lidhëse e zonës.

Banorët qëndruan për gati 20 minuta në mes të autostradës, duke bllokuar lëvizjen e mjeteve në të dy senset e lëvizjes e për pasojë radha e makinave shkoi në disa kilometra.

Ata që kërkojnë të udhëtojnë nga fshatrat e Divjakës drejt Lushnjes duhet të kthehen në rrethrrotullimin  e Kolonjës, ndërsa banorët e LushnjEs që do udhëtojnë drejt Fierit, do kthehen në Savër.

"Ne me bujqësi merremi. Ku të iki unë, të shkoj në Kolonjë, 16 kilometra më tepër dhe të kthehem parë, janë shpenzime."

Banorët e fshatrave të LushnjEs dhe Divjakës, thonë se bllokimi i Kthesës së Pushimit të Shoferit u shton kostot e lëvizjes, ndaj kërkojnë ndërtimin e një rruge dytësore ose mbikalim për automjetet.

"Në mandatin e tretë duhet të ishte bërë një mbikalim. Duhet të ishte gjetur zgjidhje për këtë problem."

"Qoftë ndonjë sëmundje, vdes njeriu rrugës."

ARRSH ndërkohë thotë se vendosi bllokimin e kthesës për shkak të aksidenteve të shumta me vdekje ndër vite aty.

Në këtë aks rrugor ka mbi 5 mbikalime për këmbësore dhe 2 nënkalime për automjetet.