Shteti konfiskon 3.4 mln eurot e gjetura në “Toyota Yaris”

Gjykata e Posaçme vendosi konfiskimin e 3.4 milionë eurove të sekuestruara në automjetet "Toyota Yaris" tri vite më parë në portin e Durrësit. Togat e zeza pranuan kërkesën e Prokurorisë së Posaçme në bazë të ligjit Antimafia vetëm pak ditë pasi transportuesi i kartëmonedhave në Shqipëri u dënua me 1 vit e katër muaj burg për akuzën e mosdeklarimit të shumave monetare në kufi.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi konfiskimin e  3.4 mln eurove që u kapën në portin e Durrësit në 24 qershor 2018 në dy makinat "Toyota Yaris" që vinin nga Belgjika.

Vendimi për ta kaluar shumën në fjalë në llogari të shtetit është marrë nga GJKKO, me kërkesën e SPAK. Gjykata me këtë vendim ka hedhur poshtë edhe kërkesën e një biznesmeni gjerman i cili pretendoi se shuma e bllokuar ishte e tij dhe se i kishte sjellë eurot në vendin tonë për të hapur biznes në Shqipëri.

Në lidhje me këtë ngjarje Gjykata e Tiranës dënoi të pandehurin Elvis Vladi me 1 vit e 6 muaj burg i cili do të qëndrojë në burg vetëm një vit për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Hetimi i nisur me bujë të madhe, për eurot e gjetura në makinat 'Toyota Yaris' është sfumuar në gjykim, ku Elvis Vladi u dënua vetëm për veprat e mosdeklarimit të hollash, ndërkohë që akuza fillestare ka qenë “pastrim i parave në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.

Kjo çështje në fillim u përdor nga opozita shqiptare për të akuzuar ashpër kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Automjetet u gjetën në një karotrec në tragetin që vinte nga Bari në Durrës.

Së bashku me dy makinat me para, në trailerin që i përkiste një kompanie shqiptare ndodheshin dhe 8 makina të tjera që kishin kryer itenerarin Belgjikë-Gjermani-Itali-Shqipëri për të mbërritur në portin e Durrësit.

Pas zbulimit të eurove policia arrestoi pronarin e kompanisë së transportit Edi Lika, si dhe shtetasit Klevis Lika, djalin e pronarit të kompanisë, dhe shoferin e kamionit, Agim Çeku.

Një ditë më pas, më 25 qershor, në pranga ra edhe Alban Mollaymeri, biznesmeni që kishte porositur makinat nga Belgjika.

Policia shpalli në kërkim dy vëllezërit Elvis dhe Alfred Vladin, që dyshohet se ishin personat që do të merrnin paratë.