Vdekja e 4 turistëve, Ambasada ruse: Hetim i përbashkët për të sqaruar rrethanat e tragjedisë
Ambasada ruse njoftoi mëngjesin e sotëm (22 tetor)se trupat e pajetë të turistëve rusë që vdiqën në saunën e një hoteli në Kavajë, u nisën në Rusi me një fluturim të rregullt.
Sipas legjislacionit rus, mund të kryhet një ekspertizë mjeko-ligjore shtesë për të zbuluar shkaqet e vdekjes së tyre.
Ambasada njofton se shpreson të kryejë një hetim të përbashkët me institucionet shqiptare, për të sqaruar rrethanat e tragjedisë.
"Shpresojmë në marrjen sa më të shpejtë të përfundimeve zyrtare nga pala shqiptare, si edhe në bashkëpunimin e mëtejshëm të ngushtë të organeve ligj-zbatuese ruse dhe shqiptare për sqarimin e rrethanave të tragjedisë", shkruhet në njoftimin e Ambasadës ruse.
Katër turistët rusë u gjetën pa jetë javën e kaluar mes orës 20.00 dhe 21.45 të datës 15 tetor, në hotelin "Gloria Palace" në Qerret të Kavajës.

