U shemb dje, Rama: Do shkojnë në prokurori ata që dhanë leje për karburantin në Fier-Lushnje
Kryeministri Edi Rama paralajmëron se do të çojë në prokurori të gjithë ata që kanë dhënë leje për ndërtimin e karburantit përgjatë aksit rrugor Fier-Lushnje që u shemb dje nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.
Nga kryeministria ku ka thirrur të gjithë kryebashkiakët për të diskutuar për menaxhimin dhe administrimin e mbetjeve Rama tha se do të paditen të gjithë ata që kanë firmosur në bashkinë e Lushnjës.
“Rrugët kombëtare janë problem më vete. Kur vjen puna për të dhënë leje të paligjshme për karburante hyni dhe tek rrugët kombëtare por kur vjen për ti pastruar nuk jua kërkon kush.
Për karburantin e prishur dje do të shkojnë në prokurori të gjithë ata që kanë firmosur në bashkinë e Lushnjes pasi ata nuk kanë asnjë të drejtë të japin leje në rrugë kombëtare e për më tepër në shkelje të plotë të atij ligji që është shkelur me 4 këmbët, që thotë 20 metra nga aksi i rrugës kombëtare nuk mund të zhvillohet asgjë”
Fadromat e IKMT rrëzuan konstruksionin metalik dhe gjithë ndërhyrjet e tjera të paligjshme të bëra nga subjekti, i cili gjithashtu u ndëshkua me gjobë në vlerën rreth 3.8 milionë lekë të reja.
