Shiste kanabis, në pranga 40-vjeçari, i bllokohet droga në bagazhin e makinës
Nga OraNews Përditësimi i fundit 22 Tetor 2021, 09:09
Një 40-vjeçar në Lezhë u arrestua për shitje të lëndëve narkotike në doza. Në pranga ka rënë shtetasi me iniciale B.Z.
"Mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas që qarkullonte me automjet, shpërndante lëndë narkotike në doza, në lagjen "Gurra", Lezhë, shërbimet e Policisë Lezhë kanë bërë të mundur lokalizimin dhe ndalimin e mjetit të dyshuar" njofton policia.
Gjatë kontrollit të ushtruar në bagazhin e automjetit u gjetën doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, gati për shitje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

