Fara e keqe zhyti fermerët në borxhe, Sokolaj: Nëse autoritetet do ishin të ashpra abuzuesit do ishin zbuluar

Drejtori ekzekutiv i qendrës ‘Alert’ Granit Sokolaj, ka komentuar Raportin e Progresit për vendet e zgjerimit, që u prezantua nga Komisionin Evropian më datë 19 Tetor.

Sokolaj në një intervistë për Ora News, me gazetaren Mtilda Mcini është shprehur se në raport bihen re edhe problematikat që kanë të bëjnë me mbrojtjen e konsumatorit dhe politikat e sigurisë ushqimore në vend. Sipas tij edhe kjo është një problematikë që e pengon aderimin e Shqipërisë në Bashkrimin Evropian.

Më tej shton se për të pasur siguri ushqimore, së pari duhet të kesh vlerësimin e riskut, mbi baza shkencore.

Granit Sokolaj: Në raport ka edhe problematika të ndryshme që e pengojnë aderimin e Shqipërisë  në BE. Dhe një nga dy ato kapitujt që merremi ne është kapitulli 28, që është mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit publik dhe kapitulli 12 që është politika e sigurisë ushqimore. Për të pasur një menaxhim risku të mirë dhe siguri ushqimore, së pari duhet të kesh vlerësimin e riskut, mbi baza shkencore, por fatkeqësisht Autoriteti Kombëtar i ushqimit nuk e bën. Ka mungesë kapacitetesh. 

Për të bërë një vlerësim risku mbi bazat shkencore duhen mbledhur panelet e autoritetit kombëtar të ushqimit, panelet shkencore. Këto më pas bëjnë një vlerësim risku mbi baza shkencore. AKU i bën planet vjetore, por duhen bërë mbi baza shkencore e jo me hamendësime. Vlerësimet bëhen mbi bazën e analizave të riskut dhe jo të produktit. Problematika ka edhe në autoritetin kombëtar të vetenarisë dhe mbrojtjes së bimëve. A e sigurisë ushqimore fillon nga shëndeti i kafshëve.

Shqetësim tek fermerët ka qenë edhe fara e keqe e bimëve, që si pasojë ka sjellë dhe falimentimin e tyre. Në lidhje me këtë Sokolaj tha se nëse autoritetet do të ishin më të ashpra dhe do kishin dëshirën për të zbuluar problemin, rrjeti i abuzimit në lidhje me pesticidet do ishte zbuluar.

Granit Sokolaj: Është fatkeqësi për ta se kanë investuar por nëse autoritetet do ishin më të ashpra, ose po të kishin dëshirën për ta zbuluar problemi, pra rrjeti i abuzimit, sigurisht që do ishte zbuluar. Farmacitë bujqësore kontrollohen nga Autoriteti Kombëtar i ushqimit. Është me ligj që pesticidet të kontrollohen nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Sigurisht dhe farat dhe importi i tyre dhe lehtësisht me anë të këtyre fermerëve që janë në hallë, faturat ku janë blerë, gjendej fare lehtësisht se kush është abuzuesi. Ka pasur gjithmonë një mospërputhje hallkash në raport me gjithë zinxhirin e sigurisë ushqimore.

Përgatiti për online Anila Kolgjini.