Arrestimet në radhët e policëve, Sokolaj: Lëvizjet e Nanos janë zhgënjyese, të kushtëzuara

Dhjetë efektivë policie, përfshirë edhe drejtuesin e komisariatit të Korçës Krenar Gjokutaj dhe shefin e qarkullimit rrugor në këtë qytet, Kelmend Pikuli, janë pezulluar nga detyra dhe ndaj tyre janë vendosur masat e sigurisë  detyrim paraqitje dhe arrest me burg.

Mësohet se pezullimet dhe urdhër-arrestet janë firmosur nga Gjykata e Tiranës me kërkesë të Prokurorisë, e cila ka nisur edhe hetimet për veprat penale "ushtrim i ndikimit të paligjshëm" dhe "shpërdorim detyre".

Drejtori i informacionit të Ora News, Trashgim Sokolaj i ftuar në studion e RTV Ora me gazetaren Beti Njuma u shpreh se rasti i Korçës ku u pezulluan 6 punonjës policie, mes tyre shefi i qarkullimit dhe shefi i komisariatit ngre pikëpyetje pasi procedimi penal është regjistruar në muajin korrik pak ditë pas takimit që pati Rama me drejtuesit e policisë dhe ish-drejtorin Ardi Veliu ku pranoi se kishte punonjës të korruptuar.

"Ai vendosi një ultimatum 100 ditor dhe ky operacion ekzekutohet vetëm pak ditë pas këtij 100 ditëshi si duket për të plotësuar profecinë që kryeministri dha, duke u përpjekur të shfaqet në publik me nota kritike për policinë që ai vetë nëpërmjet të deleguarve të tij e drejton dhe menaxhon," tha Sokolaj.

Në radhët e uniformave blu mund të flasim për situatën më negative të 10-vjeçarit të fundit, sipas Sokolaj.

Ardhja e Nanos në krye të policisë së shtetit për gazetarët dhe punonjësit e medies që janë në kontakt të përditshëm me punonjësit e policisë ishte shpresë për një ndryshim sepse për 3-4 vite gazetarët janë përballur me policinë arrogante të Ardi Veliut.

Sokolaj: Policia shmangte çdolloj detyrimi për t'u përgjigjur para publikuar për skandalet e njëpasnjëshme, për ngjarjet e pazbardhura, statistikat në përmirësim të krimit. Shpresuam se me ardhjen e drejtorit të ri diçka do të ndryshonte dhe zgjedhja e tij për ta sjellë në krye të policisë si një emër që gëzonte kredinciale të mira ishte një përpjekje e kryeministrit dhe mazhorancës për ta përmirësuar imazhin e policisë.

Por çfarë ndodhi?

Sipas Sokolaj, ndryshimet e para që firmosi Nano janë zhgënjyese sepse nuk kemi asnjë risi.

Sokolaj: Merret drejtori i policisë së Elbasanit ku u vranë dy persona në kërkim dhe ngjarja është e pazbardhur dhe çohet drejtor në Korçë. Për çfarë arsye? Cili është bilanci i tij? Gjovalin Loka është në raportet ndërkombëtare për rrahjen e protestuesve të opozitës ndaj protestave që kanë bërë kundër mazhorancës dhe ëhstë një nag emrat e përfolur negativisht, është një nga ata zyrtarë policie që është akuzuar politikisht për përçimin e urdhrave politikë dhe politizimin e policisë. Ky merret nga drejtor policie në Elbasan dhe çohet në Korçë. Janë drejtorë dhe mbeten drejtorë në një qark tjetër.

Por pse nuk promovohen emra të rinj në policinë e shtetit?

Sokolaj: Ka dy mundësi; ose janë lëvizje që atij ja kanë kushtëzuar dhe që do të thotë ai nuk është i lirë në vendimmarrjet e tij dhe kjo është alarmante ose duke njohur një situatë që ishte alarmante janë ndryshime të bëra përkohësisht sa për të ndryshuar diçka dhe pastaj do të pasohen me ndryshime të tjera. Nëse kjo ndodh është një element pozitiv, por nëse është e para kjo për mua është shqetësuese.

I gjithë operacioni që është zhvilluar në 3 ditët e fundit ka dyshime serioze që është dekonspiruar, pra nuk ka shkuar aty ku duhet, sipas Sokolaj.

Intervistoi Beti Njuma, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku