“Dhëndurë në tentativë të BE-së” Rama: Ne do të vazhdojmë të bëjmë detyrimet tona

Në ceremoninë e përvjetorit të Fondacionit Gjerman “Friedrich Ebert”, kryeministri Edi Rama ka përsëritur frazën se Shqipëria është dhëndër në tentativë në familjen evropiane.

Rama tha se vendi ynë do të bëjë ato që ka detyrim që të bëjë për integrimin, pavarësisht se çfarë stër-kushtesh ka vënë Brukseli apo edhe problemet që shkojnë deri në Bullgari.

Sipas Ramës, procesi është një vendimmarrje që nuk parashikohet deri në fund dhe vendimet do të varen tashmë nga familja evropiane.

Rama: Ne duhet të vazhdojmë detyrimisht të bëjmë edhe më shumë se sa ç’kemi bërë, të bëjmë çdo ditë më shumë se ç’bëmë dje, pavarësisht vendimeve që merren në Bruksel, kushteve që shtohen në Bundestag. Pavarësisht se çfarë stërstërkushtesh shfaqen dhe deri në Bullgari. Këto nuk kanë lidhje me njëra tjetrën sepse kjo është zgjedhja dhe rruga jonë. Ky është detyrimi ynë, borxhi ndaj fëmijëve tanë. Ta bëjmë Shqipërinë një vend që të jetë një hapësirë demokracie funksionale si në BE dhe në çdo vend anëtare të BE-së, pavarësisht çfarë statusi kemi në çdo hap të këtij procesi. Nuk e dimë si quhemi tani, dhëndurë në tentativë të familjes evropiane. Këto momente që na japin statuse të ndryshme në proces, nuk varen nga ne, por çfarë vendoset nga familja evropiane.

Është një vendimmarrje që nuk parashikohet deri në fund. Kujt do tja merrte mendja që do dilte Bullgaria. Askush nuk mund ta parashikojë 100% se del një tjetër, Bullgaria që del tani, deri përpara dy vjetësh, ishte 100% dakord. Ne na duhet të fokusohemi tek vetja, rruga jonë dhe puna jonë që të përfitojmë sa më shumë nga kjo dije. Procesi i integrimit është një proces i transferimit të dijeve dhe metodologjisë për shtetformimin demokratik. Duke pasur një vëmendje në funksion të kritikës për si ecin gjërat dhe ndihmën teknike për t’i përmirësuar gjërat.