Mourinho zhvlerëson Romën: Lojtarët në fushë më të dobët se norvegjezët

Në Norvegji, Jose Mourinho pësoi humbjen më të thellë si trajner në karrierën e tij. Ndoshta Roma ishte mësuar të mundej me 6 gola të pësuar por portugezi asnjëherë dhe zhgënjimi pas disfatës me Bodo Glimt ishte i madh.

Për të kuptuar zhgënjimin mjafton të lexohet reagimi i Mourinhos që u kap me të gjithë lojtarët duke përfshirë edhe Kumbullën që ishte titullar.

“Përgjegjësia është imja, që kam vendosur të luaj me këtë ekip. Kisha qëllime të mira, doja t’u jepja mundësinë njerëzve që punojnë shumë për të luajtur, bëra rotacion dhe u thashë lojtarëve që luajnë gjithmonë se duhej të pushonin. Fusha ishte e vështirë, por humbëm kundër një ekipi që kishte më shumë cilësi se ne. Nëse do të mund të luaja gjithmonë me të njëjtët, do ta bëja. Sidoqoftë, ky është një rrezik i madh, ekziston një ndryshim i madh në cilësi midis një grupi lojtarësh dhe një grupi tjetër, vendosa që në këtë fazë ishte e drejtë të bëheshin këto ndryshime. Unë e di që disa lojtarë kanë limite, nuk është asgjë e re, por prisja një përgjigje tjetër. Përgjegjësia është imja”.

Mourinho foli edhe për pasojat që mund të ketë kjo humbje dhe se çfarë do t’u thoshte pronarëve amerikanë për këtë humbje.

“Nuk mung të gabonim kështu me titullarët. Skuadra e plotë luan mire dhe kemi bërë gjithmonë mirë. Kjo humbje do të ketë një peshë sepse nuk kisha humbur kurrë me 6 gola të pësuar, nuk është problem për mua por për të rinjtë e skuadrës. Drejtuesit? Do t’u jepja shpjegime normale që ua kam thënë edhe para se të humbisnim 6-1. Dukej sikur sulmuesi i tyre ecte me motor ndërsa lojtarët tanë me biçikleta”, përfundoi trajneri piortugez./Ora News/.