Presidenti amerikan paralajmëron Kinën: SHBA do ta mbrojë Tajvanin nëse sulmohet

Presidenti amerikan, Xho Bajden, thotë se Shtetet e Bashkuara janë zotuar se do i dalin në mbrojtje Tajvanit po të sulmohej nga Kina. Gjatë një takimi me qytetarët ai tha se SHBA-ja nuk do të zmbrapset nga bindjet e saj, edhe pse nuk do një luftë të ftohtë me Kinën.

Amerika do të ndërhyjë për ta mbrojtur Tajvanin në rast të një sulmi nga Kina.

Presidenti Xho Bajden tha të enjten se megjithëse vendi i tij nuk ka lidhje zyrtare diplomatike me Republikën e Kinës, ka një ligj që e detyron SHBA-në t'i dalë në krah për qëllime mbrojtjeje.

Sipas marrëveshjes, deri tani pala amerikane e ka ndihmuar Tajvanin të fuqizohet me armë e municione.

Tajvani u bashkua dhe u nda nga territori kinez në vitet 1940 pasi kishte qenë pjesë e Japonisë për pesë dekada.

Kina e konsideron ende pjesë të vetën dhe muajt e fundit ka rritur presionin me anije e avionë duke paralajmëruar se po bëhet gati ta pushtojë atë me forcë.

"Nuk dua luftë të ftohtë me Kinën. Nuk i druhemi konfliktit me të. Kina, Rusia dhe bota e dinë se ne kemi ushtrinë më të fortë në histori. Çfarë duhet të na shqetësojë është mundësia që Kina të vazhdojë po kështu dhe dikur të gabojë rëndë," deklaroi presidenti Bajden.

Marina dhe forcat speciale amerikane këtë muaj raportohet se janë përfshirë në stërvitjen e fshehtë të ushtarëve tajvanezë kundër agresionit kinez.

Ambasadori amerikan i caktuar në Kinë tha të mërkurën se Pekini është kërcënimi më serioz për sigurinë e SHBA-së dhe botës demokratike, por ndryshe nga Uashingtoni, Kina nuk mendohet se ka aleatë të vërtetë.