PS bojkoton Komisionin Hetimor për 25 Prillin, Bardhi: Nuk pengojnë dot opozitën të faktojë masakrën zgjedhore

Kryetari i Komisionit Hetimor, Enkelejd Alibeaj njoftoi se mbledhja  e sotme e komisionit hetimor parlamentar “Për kontrollin e veprimtarisë së organeve të administratës publike dhe pushtetit vendor, për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 25 prillit 2021” nuk u zhvillua për shkak të mungesës së kourumit të nevojshëm.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar me anë të një deklarate pas shtyrjes së mbledhjes dhe shprehet se bojkotoi i Komisionit Hetimor për masakrën zgjedhore të 25 Prillit nga anëtarët e Partisë Socialiste është dëshmi e qartë e papërgjegjshmërisë së tyre në raport me interesin e qytetarëve.

Sipas Bardhit, është e qartë se qeveria e cila fitoi zgjedhjet përdori krimin dhe paratë e korrupsionit për të blerë vota dhe nuk kanë interes për të faktuar masakrën zgjedhore.

Deklarata vijon me vendosmërinë e opozitës për të hetuar atë të cilën e cilësojnë "masakra zgjedhore e 25 prillit."

Deklarata e plotë:

"Bojkoti i Komisionit Hetimor për masakrën zgjedhore të 25 Prillit nga anëtarët e Partisë Socialiste është dëshmi e qartë e papërgjegjshmërisë së tyre në raport me interesin e qytetarëve. Edhe pse kërkuar vetë që mbledhja e Komisionit të vijonte në datën 20, sot zgjodhën bojkotin.

Është e qartë që ato që vodhën zgjedhjet, përdorën krimin dhe paratë e korrupsionit për të blerë vota, që përdorën shtetin në zgjedhje, nuk kanë interes për të faktuar masakrën zgjedhore. Opozitën nuk e pengojnë dot në ushtrimin e të drejtave dhe përgjegjësive të saj për hetimin parlamentar të masakrës zgjedhore të 25 Prillit."

Alibeaj njoftoi se mbledhja e ardhshme e komisionit hetimor do të zhvillohet më datën 22 tetor 2021, ora 10:00./OraNews/