PD depoziton në Kuvend amendamentet kushtetuese, Basha: Patronazhistët e PS-së dhe kreun e tyre i pret belaja

Partia Demokratike depozitoi sot në Kuvend amendamentet kushtetuese për reformën zgjedhore, territoriale dhe vettingun e politikanëve.

Njoftimin e bëri kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një konferencë për mediat.

Basha: Janë tre prioritete për të nxjerrë Shqipërinë dhe shqiptartët nga kriza, duke përfshirë dhe institucionin e votës së lirë. Këto tre çështje kanë të bëjnë me reformën zgjedhore përfshirë të gjitha aspektet e saj, çështje të sistemit dhe garanci që do tu jepen shqiptarëve që zgjedhjet e ardhshme nuk do të jenë përsëri një arenë për krimin e organizuar dhe as një fushë veprimi për sigurimin e ri të shtetit, patronazhistët e PS, që bashkë me kreun e tyre i pret belaja në gjithë aspektet ligjore. Po kështu për të organizuar përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme hapin e parë për daljen e Shqipërisë nga kriza. Lënia e pushtetit nuk është dramë por realiteti që përkufizon demokracinë. Amendamentet kushtetuese përkatëse kanë të bëjnë me zhbërjen e ndryshimeve të njëanshme të 30 korrikut, kaluar pa vullnetin e opozitës, dhe depozitimin kërkesës për komisionin zgjedhor që të nisë sa më shpejt nga puna në mënyrë që reforma zgjedhore me të gjithë komponentët e saj të nisë një orë e më parë.

Amendamenti tjetër ka të bëjë me katastrofën e përditshme që përjetojnë shqiptarët si në zonat urbane dhe rurale, e ashtuquajtura reformë territoriale që u hoqi shqiptarëve 25 vite progres në vendosjen e decentralizimit në pushtetin lokal.Në Kushtetutë ka një nen ku komunat akoma ekzistojnë. Kjo ndarje nuk u përgjigjet kërkesave të qytetarëve, për shërbimin më të vogël i çon qindra metra larg. Amendamenti jonë parashikon bashki rurale dhe urbane, pak rëndësi ka nëse bashkitë rurale do quhen komuna apo jo. Rëndësi ka që pushteti vendor të shkojnë pranë qytetarëve. Të zgjidhet nga qytetarët dhe të shkarkohet nga qytetarët kur nuk bën punën. Të financohet dhe të posedojë të gjitha mjetet që u shërbejnë njerëzve dhe jo partive.

Propozimi i tretë dhe më i detajuari ka të bëjë me vettingun e politikanëve. Rastësisht pashë dje dhe sot në mëngjes pashë disa tituj në mediaj që thonë rikthehet vettingu i politikanëve. Kjo është pjesërisht e vërtetë, me të vërtetë ideja, koncepti i 2018 për të pastruar parlamentin dhe politikën nga politikanë të lidhur me krimin e organizuar, politikanë që nuk justifikojnë pasuritë. Ky objektiv ka qenë i 2018 është dhe sot. Ka një ndryshim themelor që vjen përmes këtij dokumenti, opioni i Venecias për kërkesën e PD në vjeshtën e 2018 për të mundësuar vettingun e politikanëve. Opinioni konstaton se në kushtet ku ndodhej Shqipëria në 2018 jo më tani e ka të domosdoshme të ndërmarrë një hap për të pastruar politikën nga influenca e krimit të organizuar që shkon deri në praninë e njerëzve të krimit të organizuar në politikë. Venecia ka thënë se qëllimni për të cilin kërkohen këto ndryshime është legjitim por ka kërkuar që një proces i tillë të bëhet në kushtet e proporcionalitetit, qartësisë ligjore dhe garantimi të drejtave dhe lirive të njeriut që mos të kthehet në "gjueti shtrigash". Një nga pyetjet që ne nuk i jemi përgjigjur dot në 2018 kush do ta bëjë vettingun e politikës ka marrë përgjigje në propozimin kushtetues, që i kalon këtë detyrë Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, nga prokuroria të gjykatat.

Kjo ka për qëllim largimin e politikanëve që janë pjesë e krimit të organizuar ose përfaqësues të tij në çdo nivel. Procesi i kontrollit të deklarimit të pasurisë ka qenë në kritikë të vazhueshme për shkak të presionit politik mbi ILDKPKI. Raporti i atyre që kanë provuar forcën e ligjit në këtë aspekt është shumë modest. Kemi fakte konkrete që ne kemi denoncuar, media i ka publikuar të pasurive marramendëse të politikanëve shqiptarë në emër të tyre, familjarëve të tyre apo ortakëve të tyre. Kemi dhe akuza në dy drejtimet.Akuzat e paprovuara shërbejnë vetëm për të mbuluar këtë llum korrupsioni ku është zhytur një pjesë e politikës duke vjedhur paratë dhe pronat e shqiptarëve, private dhe publike. Është momenti të ndahet shapi nga sheqeri, me instrumentat dhe praktikën e njohur të vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve struktura e posaçme antikorrupsion  të marrë si fillim këta 200 e ca politikanë të lartë, deputetë, krerë bashkish, kreu i shtetit, kryeministri, kryetari i kuvendit, kryetarët e institucioneve të pavarura dhe ti fusë në sitën e kontrollit të hollësishëm për lidhjet e mundshme me krimin e organizuar ashtu për pasuritë e tyre, familjarëve dhe ortakëve të tyre brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ligji Antimafia ekziston, kërkohet vullneti politik.

Edhe nëse masakra e 25 prillit nuk do kishte ndodhur dhe PD do të ishte në qeverisje nuk kam dyshim se do kishim 94 votat e nevojshme për të ndryshuar Kushtetutën . Edhe po ti kishim unë gjykoj se ndryshime të tilla kushtetuese duhet patjetër të kenë konsensus bipartizan. Nuk mund të shikohen si masa propagande apo represive ndaj njërës anë apo anës tjetër. Është interesi i gjithë shqiptarëve që politika të pastrohet nga llumi i tranzicionit. Nga njerëz që këto 30 vjet kanë përdorur politikën për tu pasuruar paligjshmërisht dhe kanë futur në politikë llumin e shoqërisë, krimin e organizuar, kanë shkatërruar konkurrencën në treg duke fuqizuar një grusht njerëzish me të cilën ndajnë favore dhe para. Kush e shikon si ekspeditë ndëshkimore të PD ndaj krimit të organizuar, oligarkëve dhe shefit të tyre politik dhe qeverisë së tij e ka gabim.Padiskutim e meritojnë por ne jemi opozita e vendit, zëri dhe aspirata e qytetarëve që duan një Shqipëri më të mirë.

Duke pranuar këtë propozime kushtetuese bashkarisht i mbyllim derën tranzicionit, kushdo që meriton që përmes këtyre masave të largohet nga politika duhet të largohet pavarësisht nëse është demokrat apo socialist. Çdo alibi vetëm sa nxjerr zbuluar qëllimin e llumit të tranzicionit për të mbajtur Shqipërinë peng të një klase politike të ndryshkur, majmur, zvetnuar dhe të shkëputur nga realiteti i përditshëm. Ne refuzojmë të jemi pjesë e asaj klase politike.Nuk ka masakër zgjedhore të na heqë nga misioni i ndryshimit, do bëhet me çdo kosto. Çdo politikan që nuk justifikon dot pasurinë e vet, familjes së vet, madje dhe të ortakëve, personave që njihen botërisht që administrojnë pronat dhe pasuritë e tyre duhet të largohen nga poliktika. Çdo politikan i lidhur me krimin e organizuar, nëse është vetë pjesë apo ka përdorur dhe përdor strukturë kriminale për të mbledhur vota dhe shantazhuar qytetarët duhet të largohet.