"Nuk dua të vendos Berishën në pozita inferioriteti" Basha: Nuk bëj garë me Berishën se kush i mbush sallat më shumë
Përse rrini në seli dhe nuk dilni në bazë të përballeni me anëtarët e PD-së, siç bën z.Berisha?
Pyetjes së gazetarit Basha iu përgjigj se nuk do ta vendosë Berishën në pozita inferioriteti.
"Ndërsa oportunistëve dhe inatçorëve iu them që rruga pa krye ku jeni futur dhe abuzimi që i bëni gjendjes aktuale të ish kryetarit historik, do t’ju vijë me faturën që s’ua kam dhënë këto 8 vite, politike sigurisht" tha Basha.
Pjese nga konferenca per median
Pyetje: Ju keni deklaruar se z.Berisha po kërkon të bunkerizojë PD-në. Përse rrini në seli dhe nuk dilni në bazë të përballeni me anëtarët e PD-së, siç bën z.Berisha? Meqenëse sapo deklaruat se 95% e anëtarëve ju mbështesin.
Basha: Kam dalë më shumë se çdo kryetar i Partisë Demokratike këto 30 vite e do të dal përsëri. Por unë nuk jam nga ata që shfrytëzojnë momente të tilla për të bërë garë “se kush e ka autokolonën më të gjatë dhe kush mbush sallat më shumë”. Sepse e di që është një garë e lehtë për mua dhe nuk është e drejtë ndaj askujt, as ndaj z.Berisha ta vendosë në pozita të tilla inferioriteti. Plus që kjo nuk është midis meje dhe z.Berisha, s’ka qenë kurrë dhe s’kishte për të qenë kurrë kjo situatë. Situata dihet fare mirë.
Dhe meqë me cituat pjesërisht korrekt sepse shumë prej atyre që dalin deformohen.
Situata dihet fare mirë.
Vendimmarrja ka ardhur pas një vendimmarrje të SHBA-ve dhe interesit më të mirë të demokratëve dhe të nesërmeve të shqiptarëve, të cilët nuk mund t’i shërbejë pa një PD të fortë dhe të vendosur për tu përballur me Edi Ramën dhe masakrën zgjedhore, nuk i shërben përçarja e partisë për interesa personale të Lulzim Bashës dhe as të Sali Berishës.
Kjo është arsyeja pse jam vetëpërmbajtur dhe do të vetëpërmbahem, me besimin më të madh dhe bindjen e thellë që siç jam i qartë unë, siç janë të qartë demokratët, janë të qartë shumica e shqiptarëve.
Dhe me thirrjen ndaj ndokujt që është i paqartë apo i zemëruar, të qetësohet dhe të qartësohet.
Ndërsa oportunistëve dhe inatçorëve iu them që rruga pa krye ku jeni futur dhe abuzimi që i bëni gjendjes aktuale të ish kryetarit historik, do t’ju vijë me faturën që s’ua kam dhënë këto 8 vite, politike sigurisht.
Pyetje: Sa kohë do të vetëpërmbaheni?
Basha: E lëmë se të tjerat u sqaruam. E dinë demokratët. Nuk turbullohen kollaj demokratët; janë njerëz të zgjuar, e dinë shumë mirë kush ëhstë armiku i Shqipërisë, e dinë shumë mirë që kush janë ata që duan të vazhdojnë ta mbajnë Shqipërinë peng dhe më kanë parë në krye të këtyre 8 viteve në krye te betejave duke sakrifikuar gjithçka dhe do të vazhdoj të sakrifikoj gjithçka derisa të rrëzoj këtë të keqe.
Pavarësisht prej sinergjisë që po krijohet me llumin në të dyja anët e politikës për ta mbajtur status-quo-n. Nuk ka shans. Zero shans.
