Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës takohen Javën e Flamurit në Durrës, në 'sitë' 86 marrëveshje
Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës do të zhvillojnë javën e fundit të nëntorit mbledhjen e shtatë të përbashkët.
Takim që do të mbahet në Durrës ishte në fokus edhe të mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka, tha se në këtë mbledhje do të skanohen 86 marrëveshjet e arritura deri më tani.
"Mbledhja mes dy qeverive Shqipëri-Kosovë që do të bëhet në javën e fundit të nëntorit në Javën e Flamurit, e 7 në radhë e përbashkët, që do të bëhet një rikalim i të gjitha marrëveshjeve të kaluara deri tani, bëhet fjalë për 86 marrëveshje të lidhura gjatë takimeve të përbashkëta janë zhvilluar deri tani.
Qëllimi është të çojmë para këtë proces për t'i dhënë një shtysë të re të gjitha marrëveshjeve dhe për të identifikuar fusha të reja bashkëpunimi. Në mbledhjen e dy qeverive do të preken fushat e ekonomisë, diplomacisë, drejtësisë, shkenca e kultura.
Dy ministritë e jashtme, ajo e Shqipërisë dhe Kosovës, kanë vendosur krijimin e një grupi pune të përbashkët për zbatimin e marrëveshjeve në fuqi dhe përpilimin e planeve për marrëveshjet në të ardhmen".