Pallati i ri u rrezikon shtëpitë, banorët protestë te prokuroria: Perëndia na ruajti, robi do na marrë jetën!
Banorët e një pallati të dëmtuar nga tërmeti në zonën e Plazhit në Durrës, denoncojnë se një ndërtim i ri ngjitur me atë ekzistues po u rrezikon shtëpitë. Objekti sipas tyre është me leje, por ata kërkojnë ndaljen e punës dhe hetimin e dokumentacionit.
Ky pallat në zonën e Plazhit në Durrës u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, por dy vjet më pas, jo vetëm që nuk është rikonstruktuar, por banorët denoncojnë se po përballen me një rrezik të ri.
Një objekt i ri po ndërtohet ngjitur me pallatin ekzistues, i cili sipas tyre mund tu dëmtojë më shumë shtëpitë.
"Me një kolonë të thyer, 7-8 kolona që do riparohen, shkallë të dëmtuar, mure të rëna në tokë dhe nuk vjen njeri të na japë përgjigje. Ne presim që të vijnë ta riparojnë, ai vjen na gropos fare. Perëndia na ruajti, robi do na marrë jetën."
Banorët thonë se në vazhdimësi kanë kërkuar ndërhyrjen e institucioneve vendore dhe prokurorisë për ndërprerjen e punimeve, por në kushtet kur sipas tyre askush nuk po vepron dolën në protestë para organit të akuzës.
"Kërkojmë ndalim të punimeve, riparim të pallatit tonë dhe verifikim të gjithë dokumentacionit. Të gjitha janë marrë me lekë."

Leja për pallatin e ri sipas banorëve të Plazhit është dhënë disa vite më parë, por ndërtimi ka nisur vetëm ditët e fundit duke u rikthyer pasigurinë në shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti.
"Bashkia ka dhënë 500 metra katrorë tokë dhe 307 metra ndërtim, vetëm këtu ndodh".
Banorët e pallatit 7 ku banojnë 43 familje kërkojnë hetimin e lejes dhe siguri për shtëpitë e tyre.

